Pentagoni ka ndaluar disa dërgesa të raketave për mbrojtje ajrore dhe municioneve të tjera precize për Ukrainën, për shkak të shqetësimeve se rezervat e SHBA janë tepër të ulëta, thanë të martën dy persona të njohur me vendimin.
Podolyak: “Armët ende po mbërrijnë, do të ishte çnjerëzore të ndaleshin”
“Dorëzimet vazhdojnë edhe sot. Do të ishte shumë e çuditshme, çnjerëzore, të ndërpritej furnizimi me sisteme kundërajrore, veçanërisht me sistemet Patriot” – ka deklaruar Mikhailo Podolyak, këshilltari kryesor i presidentit ukrainas, sipas RBC-Ukraine. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për pezullimin apo rishikimin e programeve të ndihmës ushtarake nga SHBA, dhe ka kërkuar një telefonatë me homologët amerikanë.
Kievi: “Asnjë njoftim zyrtar nga SHBA për ndalimin e armëve”
Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë paralajmërim për reduktimin e furnizimeve me armë nga SHBA dhe theksoi se për të ndalur pushtimin rus kërkohet mbështetje e vazhdueshme.
“Ukraina nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për pezullimin apo rishikimin e programeve të dakorduara për ndihmën në mbrojtje”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
“Nënvizojmë se rruga drejt përfundimit të luftës kalon përmes presionit të vazhdueshëm dhe të përbashkët ndaj agresorit, si dhe përmes mbështetjes së pandërprerë për Ukrainën,” thuhet nga Kievi.
Macron dhe telefonata e parë me Putinin që nga viti 2022
Një telefonatë mbi dy orë midis dy presidentëve që nuk kishin folur për gati tre vjet, pas muajsh në të cilët Emmanuel Macron kishte hequr dorë nga përpjekjet për të bindur Vladimir Putinin, duke e quajtur hapur disa herë gënjeshtar. Por pavarësisht marrëdhënieve personale – gjashtë metrat e famshëm të tavolinës në Kremlin janë ende një distancë e pakapërcyeshme – Putini mbetet udhëheqësi i Rusisë, dhe Rusia vazhdon të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në një fazë ndërkombëtare ku të gjithë flasin me të gjithë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, do të ishte paradoksale që pikërisht Franca të hiqte dorë nga ambicia e saj si “fuqi balancuese”.
Orët para kësaj telefonate, Macron bisedoi me Trump, më pas me kryeministrin britanik Keir Starmer, pastaj me Putinin dhe planifikon të thërrasë presidentin kinez Xi Jinping: liderët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ndonëse të dobët dhe të përçarë këto vite, mund të japin një kornizë për këtë nismë të re diplomatike të Francës.
Kremlini: “Macron nuk është i gatshëm të dorëzojë territore ukrainase”
Gjatë telefonatës së djeshme me Vladimir Putinin, presidenti francez Emmanuel Macron nuk shprehu ndonjë gatishmëri për të marrë në konsideratë dorëzimin e territoreve ukrainase Rusisë, megjithëse situata e konfliktit u diskutua “në detaje”. Këtë e deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë Interfax. Macron, shtoi ai, nuk tregoi ndonjë prirje për të njohur realitetin e krijuar “në terren”.
CNN: Koreja e Veriut do të dërgojë 30 mijë ushtarë për të ndihmuar Rusinë
Koreja e Veriut është gati të trefishojë numrin e trupave të saj që luftojnë për Rusinë në vijën e frontit me Ukrainën, duke dërguar edhe 25.000–30.000 ushtarë të tjerë. Lajmi raportohet nga CNN duke cituar një vlerësim të inteligjencës ukrainase. Trupat mund të mbërrijnë në Rusi në muajt e ardhshëm, duke iu shtuar 11.000 të tjerëve të dërguar në nëntor për të ndaluar ofensivën ukrainase në rajonin e Kurskut. Sipas burimeve perëndimore, rreth 4.000 prej këtyre ushtarëve koreanoveriorë janë vrarë ose plagosur.
Kremlini: “SHBA ndaloi furnizimin me armë sepse depot janë bosh”
Shkaku i vendimit të SHBA për të pezulluar disa furnizime me armë për Kievin është mungesa e armëve dhe depot bosh. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për shtyp. “Për sa kuptojmë, arsyeja janë depot bosh dhe mungesa e armëve në rezervat e tyre,” u shpreh Peskov para gazetarëve.
Kremlini: Telefonata Putin–Macron “shumë e rëndësishme”, me iniciativë të Francës
Telefonata e djeshme midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit francez Emmanuel Macron “ishte shumë e rëndësishme”. Këtë e tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai shtoi: “Pati një shkëmbim mendimesh të detajuar. Ishte një mundësi e mirë për të shprehur pozicionet respektive”. Peskov theksoi se për momentin nuk ka asnjë plan për një takim personal mes Putinit dhe Macronit, dhe sqaroi se telefonata ndodhi me iniciativën e Francës.
Kievi: “Për armët amerikane do kemi qartësi në ditët në vijim”
Kievi ka deklaruar se dëshiron të marrë informacion të qartë nga Uashingtoni për njoftimin e Shtëpisë së Bardhë se SHBA do të ndalojë disa furnizime me armë për Ukrainën. “Po sqarojmë situatën. Besoj se gjithçka do të sqarohet në ditët e ardhshme”, tha për gazetarët këshilltari presidencial Dmytro Lytvyn, pak pas thirrjes së një diplomati amerikan nga Ukraina për të theksuar “rëndësinë jetike” të ndihmës ushtarake amerikane në mbrojtje ndaj agresionit rus.
Kremlini: “Me më pak armë për Kievin, më afër fundi i luftës”
Sa më pak armë t’i dërgohen Kievit, aq më afër është përfundimi i konfliktit – ishte komenti i zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, për pezullimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën. Lajmi raportohet nga agjencitë ruse.
Burime ushtarake ukrainase: “Do ta kemi të vështirë” pa municionet amerikane
Ukraina “do ta ketë të vështirë” të luftojë ushtrinë ruse pa municionet e Shteteve të Bashkuara, deklaroi një burim ushtarak ukrainas, pas njoftimit të Uashingtonit se SHBA-të do të ndalin dërgesat e disa armëve për Kievin.
“Aktualisht, ne varemi shumë nga furnizimet me armë nga SHBA, megjithëse Evropa po bën gjithçka që mundet, por pa municionin amerikan do ta kemi shumë të vështirë,” pranoi burimi ushtarak, ndërsa Moska po intensifikon sulmet kundër Ukrainës.
Media ukrainase: mikroçipa perëndimorë të përdorur në dronët rusë
Sipas informacionit nga televizioni gjerman ZDF, ushtria ruse vazhdon të instalojë teknologji dhe mikroçipa perëndimorë në dronët e saj, pavarësisht sanksioneve. Kompania Comsit me seli në Zolling, në Bavarinë e Epërme, analizoi përbërësit e disa dronëve rusë, përfshirë modelin Shahed, të përdorur në Ukrainë, siç raportohet nga ZDF. Rezultati: të gjithë dronët e ekzaminuar përmbanin çipa me përdorim të dyfishtë nga Perëndimi, për shembull nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara. Këto janë të rëndësishme për kontrollin e dronëve. Ende nuk është e qartë se si kjo teknologji ka përfunduar në Rusi. Prodhuesit e përfshirë nuk kanë pranuar të komentojnë. Këta përbërës janë subjekt i kufizimeve të rrepta të eksportit nga BE-ja.
Kievi thërret diplomatin amerikan pas ndalimit të armëve
Ukraina, sipas Ministrisë së Jashtme, i ka thënë diplomatit amerikan se vonesat në ndihmën ushtarake “do ta inkurajojnë” Rusinë.
Ministria e Punëve të Jashtme në Kiev njoftoi se ka thirrur të Ngarkuarin me Punë të SHBA. “Tema kryesore e bisedës me diplomatin amerikan ishte ndihma ushtarake e SHBA-së dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis dy shteteve,” thuhet në njoftim. Ky veprim vjen pasi SHBA njoftoi ndalimin e dërgimit të disa armëve për Kievin, përfshirë raketat për mbrojtjen ajrore, pas një rishikimi nga Pentagoni.
“Më 2 korrik, me kërkesë të ministrit të Jashtëm Andriy Sybiga, i Ngarkuari me Punë i SHBA në Ukrainë, John Ginkel, u thirr në Ministrinë e Jashtme,” njoftoi ministria, duke sqaruar se “zëvendësministrja e Jashtme ukrainase, Mariana Betsa, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia dhe theksoi rëndësinë thelbësore të vazhdimit të dërgesave të pakove mbrojtëse të miratuara më parë, me vëmendje të veçantë për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.”
“Pala ukrainase theksoi se çdo vonesë apo shtyrje në mbështetjen për aftësitë mbrojtëse të Ukrainës do të inkurajonte vetëm agresorin për të vazhduar luftën dhe terrorin, në vend që të kërkojë paqen,” shton ministria, duke theksuar se “palët diskutuan mbi konsultimet për furnizimet mbrojtëse që janë në vazhdim në të gjitha nivelet dhe për kontaktet e mëtejshme midis Ukrainës dhe SHBA-së, që do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve reciprokisht të dobishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të shtetit tonë, duke rritur presionin ndaj Rusisë për të promovuar përpjekjet për paqe.”
Pak orë më parë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, njoftoi se vendimi për të pezulluar dërgimin e disa armëve “u mor për të vendosur interesat e Amerikës në vend të parë, pas një rishikimi nga Departamenti i Mbrojtjes mbi mbështetjen dhe ndihmën ushtarake që vendi ynë ofron në gjithë botën.”
Nga SHBA ndërpriten armët kundërajrore
Ndër armët që nuk do të dërgohen më përfshihen edhe interceptuesit kundërajrorë për neutralizimin e dronëve dhe predhave ruse.
Në një deklaratë, Pentagoni tha se i ka ofruar presidentit Donald Trump disa opsione për të vazhduar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në përputhje me qëllimin për të përfunduar luftën: “Departamenti po rishikon dhe po përshtat me kujdes qasjen e tij për të arritur këtë qëllim, duke ruajtur njëkohësisht gatishmërinë e forcave amerikane për prioritetet mbrojtëse të administratës,” deklaroi Elbridge Colby, zëvendëssekretar i Mbrojtjes.
Shtëpia e Bardhë konfirmon ndalimin e armëve për Kievin
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se do të pezullojë furnizimin me armë për Ukrainën. “Ky vendim u mor për të vënë në plan të parë interesat e Shteteve të Bashkuara,” tha zv.zëdhënësja Anna Kelly.
Ky ndryshim qëndrimi erdhi pas një rishikimi të kryer nga Departamenti i Mbrojtjes mbi rezervat e armëve që SHBA ka në dispozicion. Ende nuk është saktësuar se cilat lloj armësh nuk do të dërgohen më në Kiev, por ky vendim rrezikon të ndryshojë balancën në terren në favor të Rusisë në një moment kur operacionet ushtarake janë në një fazë bllokimi.
Pak ditë më parë në samitin e NATO-s në Hagë, Trump, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një gazetare ukrainase, tha se do të bënte gjithçka që ishte e mundur për të siguruar një furnizim të mjaftueshëm ushtarak për Zelenskyn.