SHBA, qytetet dhe bizneset përgatiten për dhunën e mundshme pas zgjedhjeve

Departmentet e policisë kanë njoftuar publikun se mund të ketë mbyllje rrugësh për shkak të tubimeve dhe protestave të planifikuara gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ku organizatorët kanë premtuar demonstrime me moton “numëroni çdo votë”

Shumë qytete dhe biznese në SHBA janë përgatitur për dhunë dhe kaos të mundshëm pasi zgjedhjet e shumëpritura të sotme mund të sjellin rrezik të lartë dhe emocione të forta.

Megjithëse rreth 100 milionë amerikanë shfrytëzuan votimin e parakohshëm, mbi 50 milionë të tjerë pritet të hedhin votat e tyre sot në ditën e zgjedhjeve, një rritje e konsiderueshme nga 139 milionë votues në zgjedhjet e vitit 2016.

Kërcënimi i dhunës lidhur me zgjedhjet ka çuar që pronarët e bizneseve në qytetet dhe rrugët e SHBA-ve të mbyllin dyert e dyqaneve të tyre.

Disa dyqane në rrethin luksoz “Design” të Miamit, përfshirë Macy’s, Target dhe CVS, u mbyllën, pasi shitësit kryesorë në të gjithë vendin intensifikuan masat e sigurisë për të parandaluar dëmtimet e dyqaneve të tyre nga dhuna e mundshme pas zgjedhjeve. Masa të ngjashme u panë edhe në Washington D.C.

“Dhuna mund të shfaqet në përmasa të mëdha dhe të vogla. Ekstremistët lokalë mund të kërkojnë të mbrojnë një vend të votimit dhe duke vepruar kështu të frikësojnë votuesit e palës tjetër”, u theksua në një raport të lëshuar më 27 tetor nga Instituti Brookings.

Mundësia e vonesës ose kontestimit të rezultateve të zgjedhjeve ka çuar që bizneset dhe pronarët e shtëpive të shqetësohen se pronat komerciale dhe banesore mund të pësojnë dëmtime në rast të trazirave.

Demokratët kanë drejtuar gishtin te deklaratat e presidentit Donald Trump që duket se mirëpresin, inkurajojnë dhe kumtojnë dhunën nëse ai nuk arrin të fitojë ose nëse rezultati nuk është i qartë.

Në disa deklarata, Trump paralajmëroi se ai do të angazhohet për një tranferim paqësor të pushtetit vetëm nëse zgjedhjet janë larg nga “hilet”. Në ditën e zgjedhjeve, Trump për Fox News tha se ai do të deklarojë fitoren vetëm atëherë kur të ketë një fitore.

Shtetet Arizona, Florida, Georgia, Michigan, North Carolina dhe Pennsylvania konsiderohen si “shtete të lëkundjes” midis presidentit Trump dhe pretendentit të tij, Joe Biden.

Disa shtete të tjera, si Minnesota, Iowa, New Hampshire, Ohio, Wisconsin dhe Texas, mund të sjellin supriza për vëzhguesit e zgjedhjeve.

Trazirat publike ende janë të gjalla në mendjet e amerikanëve, me protesta masive dhe trazira vdekjeprurëse në fillim të këtij viti në shtetet Oregon dhe Minnesota, pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga një pjesëtarë i bardhë i policisë.

Amerikanët kohëve të fundit po ashtu ishin dëshmitarë të protestave dhe trazirave në të paktën dhjetë shtete, pasi kishte padi për oficerët e policisë për vdekjen e gruas afro-amerikane Breonna Taylor, e cila u qëllua për vdekje në banesën e saj.

Në qytetet kryesore, departmentet lokale të policisë po ashtu kanë njoftuar publikun se mund të ketë mbyllje rrugësh për shkak të tubimeve dhe protestave të planifikuara gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ku organizatorët kanë premtuar demonstrime me moton “numëroni çdo votë”.

Kategoritë
BotaLajme