Zyrtarët izraelitë i kishin kërkuar Washingtonit t’u japin qasje në memorandum, por kërkesa ishte refuzuar.
SHBA-ja ka refuzuar një kërkesë të Izraelit për të shqyrtuar memorandumin e mirëkuptimit të arritur me Iranin, duke e lënë Izraelin pa dijeni për detajet e plota të marrëveshjes, transmeton Anadolu.
Transmetuesi izraelit Channel 12 njoftoi se zyrtarët izraelitë i kishin kërkuar Washingtonit t’u japin qasje në memorandum, por kërkesa ishte refuzuar.
Sipas transmetuesit, Izraeli “ende nuk i njeh detajet e plota të marrëveshjes”, e cila pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër.
Sipas raportit, presidenti amerikan, Donald Trump, është zotuar se do ta shqyrtojë dokumentin “fjalë për fjalë”, por nuk ka specifikuar se kur përmbajtja e tij do të bëhet publike.
Transmetuesi izraelit tha se ende nuk janë publikuar detaje zyrtare të marrëveshjes SHBA-Iran. Megjithatë, ai citoi raportime të mediave iraniane që pretendojnë se memorandumi përmban 14 dispozita.
Sipas këtyre raportimeve, dispozitat përfshijnë tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Libani jugor, heqjen e kufizimeve për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, lirimin e aseteve të ngrira iraniane dhe një plan rindërtimi për Iranin të mbështetur nga SHBA-ja.
Trump ka deklaruar se marrëveshja do të nënshkruhet të premten në Zvicër dhe se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet pas nënshkrimit. As Washingtoni dhe as Teherani nuk e kanë publikuar tekstin e plotë të memorandumit.
Marrëveshja e raportuar vjen në mes të armiqësive të vazhdueshme që nisën pasi Izraeli dhe SHBA-ja filluan operacione ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt.
Forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë nën okupim territore në Libanin jugor, ndërsa kryejnë rregullisht operacione ushtarake në mbarë vendin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për uljen e tensioneve.











