SHBA-ja dhe Kina brenda 90 ditësh do të ulin tarifat doganore në mënyrë reciproke

SHBA-ja do të ul tarifat për mallrat kineze nga 145 për qind në 30 për qind për 90 ditë ndërsa Pekini do të ul tarifat për mallrat amerikane nga 125 për qind në 10 për qind

SHBA-ja dhe Kina në mënyrë të papritur ranë dakord që të ulin tarifat doganore në mënyrë reciproke për 3 muaj, transmeton Anadolu.

SHBA-ja do të ul tarifat për mallrat kineze nga 145 për qind në 30 për qind për 90 ditë ndërsa Pekini do të ul tarifat për mallrat amerikane nga 125 për qind në 10 për qind. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent dhe përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, mbajtën konferencë për media pas takimeve me delegacionin kinez në Gjenevë gjatë fundjavës.

Bessent tha se është arritur marrëveshje me Kinën për një pauzë 90-ditore dhe ulje të ndjeshme të niveleve të taksave doganore, duke shtuar se Kina dhe SHBA-ja nuk donin një ndarje.

Duke i përshkruar bisedimet e fundjavës me Kinën si “solide” dhe “të respektueshme”, Bessent tha: “Zhvilluam diskutime shumë të forta dhe produktive mbi hapat që duhen ndërmarrë për çështjen e fentanilit. Jemi në të njëjtin mendim që të dyja palët nuk duan të ndahen”.

Lidhur me bisedimet e ardhshme, Bessent tha: “Ne presim bisedime shumë të mira, tani ekziston mekanizëm i Gjenevës në bisedime”. Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer tha se vendi i tij dëshiron tregti më të balancuar me Kinën. “I përfunduam bisedimet me rezultat mjaft të mirë për SHBA-në dhe Kinën”, tha ai.

Në një deklaratë lidhur me marrëveshjen thuhet se që nga 14 maji SHBA-ja do të ul tarifat doganore që aplikon për mallrat kineze, përfshirë fentanilin, nga 145 për qind në 30 për qind për 90 ditë, ndërsa Kina do të ul tarifat doganore që aplikon për mallrat amerikane nga 125 për qind në 10 për qind për 90 ditë.

Gjithashtu u tha se do të formohet një mekanizëm për të vazhduar negociatat mbi marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Kinës dhe SHBA-së. Delegacionet amerikane dhe kineze u takuan në Gjenevë të Zvicrës gjatë fundjavës për bisedime tregtare. Si SHBA-ja ashtu edhe Kina deklaruan dje se ishte arritur përparim në bisedime, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Marrëveshja midis dy ekonomive më të mëdha në botë për mosmarrëveshjet tregtare ka shkaktuar eufori në bursa ndërsa dollari po fiton vlerë kundrejt shumë monedhave të tjera. Indeksi i dollarit aktualisht është në 101.7.

– SHBA-ja dhe Kina u përplasën për tarifat

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më 2 prill vendosi tarifa shtesë për partnerët tregtarë, përfshirë Kinën.

Si rezultat i përballjes së tarifave midis dy vendeve që filloi me përgjigjen e Kinës, SHBA-ja rriti tarifën doganore që aplikoi ndaj Kinës në 145 për qind ndërsa Pekini vendosi tarifë doganore prej 125 për qind ndaj SHBA-së.

Administrata e Washingtonit shtyu tarifat shtesë ndaj vendeve të tjera për 90 ditë ndërsa tarifat ndaj Kinës hynë në fuqi.

Pas përshkallëzimit të tensioneve tregtare, zyrtarët amerikanë dhe kinezë ranë dakord të takohen në Zvicër këtë fundjavë për negociata mbi tarifat.

Kategoritë
BotaLajme