Të mërkurën, Donald Trump dhe Vladimir Putin u takuan për herë të parë pas më shumë se një viti, ndërsa po përgatiteshin për bisedime të rëndësishme në Kinë me Xi Jinping-un, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Presidenti amerikan u prit nga udhëheqësi kinez sapo zbriti nga avioni në Shenzhen, ku po mbahet një samit i liderëve të rajonit Azi-Paqësor. Samiti do të kulmojë me një takim, i cili pritet me shumë interes, mes Trump-it, Xi-së dhe presidentit rus.
Pas një shtrëngimi duarsh dhe përqafimi të planifikuar me kujdes mes Trump-it dhe Xi-së në pistën e aeroportit, presidenti amerikan më vonë përshëndeti dhe shkëmbeu fjalë të sjellshme me Putin-in, pak para një pritjeje zyrtare.
Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë bisedime kokë më kokë të enjten, në margjinat e samitit; në këto bisedime mund të diskutohet edhe për luftën në Ukrainë.
Megjithatë, fokusi kryesor gjatë forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) do të jetë te bisedimet mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë të enjten – hera e parë që ky trio liderësh takohen së bashku personalisht.
Agjenda e plotë nuk është bërë publike, por ka pasur aludime të ndryshme lidhur me temat që mund të trajtohen, përfshirë luftërat në Ukrainë dhe Iran, përhapjen e armëve bërthamore, tensionet tregtare, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale.
