Sesioni i Komitetit të Ministrave të KiE ku pritet të votohet për anëtarësimin e Kosovës mbahet me 16- 17 maj në Strasbourg

Komiteti i Ministrave i vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajë sesionin e 133’të më 16 e 17 maj, takim ky në kuadër të Presidencës së Lihtenshtajnit, bëhet e ditur në faqen e Këshillit të Evropës. Por, në njoftim ende s’ka detaje të agjendës.

Sipas të gjitha gjasave në këto data pritet të votohet pro ose kundër ftesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, por paraprakisht më 16 prill do të debatojë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Nëse në APKE ka votë pozitive për Kosovën atëherë fjalën e tyre do ta thonë ministrat.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në KiE më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Për të ardhur deri te ky rekomandim Qeveria e Kosovës i kërkoi Agjencisë Kadastrale të Kosovës që t’ia regjistrojë 24 hektarët Manastirit të Decanit që ishte shndërruar në kusht për anëtarësim. Po ashtu krerët e shtetit Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhanë edhe disa zotime tjera që Kosova të ketë ulësen e saj në Strasbourg.

Në një letër që I kishin drejtuar raportueses Dora Bakoyannnis Osmani, Kurti e Konjufc kishin premtuar se që do të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe përmbajtjen nga kritikat e vazhdueshme ndaj sistemit juridik dhe minimit të besimit në të. Kujtojmë se kanë qenë të shumta, rastet kur eksponentë të Qeverisë, përfshirë edhe kryeministrit Albin Kurti, që kanë drejtuar sulme të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të drejtësisë, sidomos ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë.

Po ashtu, treshja që udhëheq me shtetin janë zotuar se do të sigurohen për implementim efektiv të kornizës ligjore për mbrojtje të komuniteteve dhe gjithashtu për të ndërmarrë hapa të prekshëm për implementimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, përshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me specifikimin “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sido që të jetë, ish-kryediplomatja greke Bakoyannis që këto ditë ishte në qendër të sulmeve në Beograd ka rekomanduar që Kosova të anëtarësohet si Kosovë e jo si Republikë e Kosovës, kjo për shkak të pozicioneve të ndryshme që kanë shtetet në këtë organizatë rreth statusit të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi