Serbia po rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ka njoftuar presidenti Aleksandar Vuçiç, duke thënë se është i shqetësuar për formimin e pretenduar të aleancave ushtarake kundër Serbisë.
Shërbimi i detyrueshëm pritet të rikthehet në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, deklaroi Vuçiç pas një takimi me krerët ushtarakë. Serbia e kishte hequr shërbimin e rregullt ushtarak në vitin 2011, por kishte lënë mundësinë e shërbimit vullnetar.
“Jemi shumë të shqetësuar për krijimin e aleancave ushtarake në rrethinën tonë kundër Serbisë dhe, në përputhje me këtë, sillemi me përgjegjësi dhe seriozitet, pa provokuar askënd, por duke dashur të pengojmë këdo që do të kryente agresion ndaj vendit tonë”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se kapacitetet mbrojtëse të aviacionit luftarak dhe të mbrojtjes ajrore janë rritur “në mënyrë drastike dhe dramatike”.
“Kemi shpenzime rekord rreth 2.65 për qind të PBB-së për sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë, madje edhe pak më shumë, ndërsa nga kjo shumë e madhe parash, plot 54.1 për qind janë investime”, deklaroi Vuçiç. Sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Serbisë për vitin 2025 është 100.05 miliardë dollarë, ose 15.322 dollarë për banor, ndërsa Serbia ka rreth 6.689 milionë banorë.
Si do të duket shërbimi ushtarak në Serbi?
Vuçiç paralajmëroi se shërbimi ushtarak do të zgjasë 75 ditë. I pyetur pse ende nuk është vendosur nëse rikthimi i shërbimit do të ndodhë në dhjetor të këtij viti apo në mars të vitit të ardhshëm, ai tha se kjo varet nga përgatitjet.
“Duhet të përgatisim të gjitha objektet. Kemi mjaft pushkë dhe çizme, por ka disa gjëra që ende nuk janë plotësisht gati”, u shpreh Vuçiç.
Sipas tij, është e nevojshme të rinovohen qendrat e rekrutimit, si dhe të përmirësohen ambulancat dhe objektet e tjera.
“Këto janë çështje të rëndësishme, sepse duam të jemi të përgatitur dhe që këta të rinj ta kryejnë shërbimin në kushtet më të mira. Të fitojnë përgjegjësinë dhe seriozitetin e nevojshëm, si dhe raportin ndaj patriotizmit”, tha Vuçiç.
Vuçiç u tha gazetarëve se është shprehur shqetësim për formimin e aleancave ushtarake në rajon, për të cilat tha se janë kundër Serbisë, por nuk sqaroi se për kë bëhej fjalë.
Ai shtoi se Serbia, në përputhje me këtë, “sillet me përgjegjësi dhe seriozitet” dhe nuk provokon askënd, por dëshiron të dekurajojë këdo që do të ndërmerrte agresion. Ai theksoi gjithashtu se kapacitetet mbrojtëse të aviacionit luftarak dhe të mbrojtjes ajrore janë rritur “drastikisht dhe në mënyrë dramatike”, duke paralajmëruar se në vitet në vijim e njëjta gjë planifikohet edhe për të gjitha degët dhe repartet e tjera të ushtrisë.

















