Serbia e e treta në botë për vaksinimin anticovid, deri tani 430 mijë shtetas të vaksinuar

Serbia rezulton vendi i tretë në botë për numrin e vaksinave anticovid të kryera përditë.

Të dhënat e mbledhura nga Universiteti anglez i Oksfordit tregojnë se 6 në çdo 100 serbë iu nënshtruan vaksinimit në javën e fundit, ritëm ky më i larti në kontinent.

Të paktën një dozë të vaksinës e kanë marrë deri tani mbi 430 mijë banorë të Serbisë, duke përfituar edhe nga llojshmëria e vaksinave që ka vendi në dispozicion, nga dozat e amerikano-gjermanëve “Pfizer/BioNTech”, te vaksina ruse “Sputnik V” dhe ajo kineze e Sinopharm-it.

Fushata e vaksinimit në vendet fqinje me Shqipërinë vijon e ngadalë, me përjashtim të Greqisë, pasi shumica po presin shpërndarjen e dozave nga programi COVAX i OBSH-së.

Në Europë, Britania ka imunizuar gati 8 milionë persona që nga muaji dhjetor, më shumë sesa Gjermania, Italia, Spanja dhe Franca së bashku.

Izraeli mban vendin e parë në botë për vaksinimin e gjysmës së popullsisë së vet.

Tri vaksinat kryesore mbeten ato të zhvilluara nga kompanitë farmaceutike Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca.

Dy vaksina të reja, Novavax dhe Janssen, kanë rezultuar po aq efikase në testet ndaj virusit të zakonshëm dhe mutacioneve të reja, madje edhe me një dozë të vetme.

Edhe pse nuk janë miratuar nga BE-ja, shkencëtarët rusë dhe ata kinezë kanë krijuar disa lloje vaksinash që po përdoren gjerësisht në Azi dhe në Amerikën Latine.

Sipas ekspertëve, pandemisë do i vijë fundi vetëm duke e imunizuar shumicën e botës kundër covidit-19.

Kategoritë
LajmeRajoni