“Në Gaza nuk ka mbetur ushqim. Situata është absolutisht e tmerrshme”, tha Sekretarja e Përgjithshme e “Amnesty International”, Agnes Callamard
Sekretarja e Përgjithshme e “Amnesty International”, Agnes Callamard u bëri thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimit Evropian (BE) të bëjnë përpjekje për të siguruar që Izraeli të mos bllokojë hyrjen e ushqimit, ujit dhe ilaçeve në Gaza dhe të mbahet përgjegjës për gjenocidin dhe krimet e luftës.
Duke iu referuar armëpushimit që Izraeli prishi disa javë më parë, Callamard në prononcimin për Anadolu tha: “Që atëherë kemi parë se janë vrarë qindra palestinezë. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), shumica e tyre janë gra dhe fëmijë. E dimë se njerëzve po u mbaron ushqimi, uji dhe ilaçet. Organizata Botërore e Ushqimit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, të gjitha këto organizata të OKB-së dhe organizatat e ndihmës humanitare po japin alarmin. Në Gaza nuk ka mbetur ushqim”.
Duke përsëritur se “Në Gaza nuk ka mbetur ushqim”, Callamard theksoi se “Situata është absolutisht e tmerrshme”.
“Në 18 muajt e fundit para syve tanë po kryhet një gjenocid”, u shpreh Callamard e cila shtoi se “Ky gjenocid u bë i mundur për shkak të dështimit të SHBA-së dhe shumë vendeve evropiane për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e palestinezëve”.
– “Askush nuk duhet të sugjerojë pritje me qilim të kuq për kriminelët e luftës”
Duke iu drejtuar udhëheqjes së BE-së nga Brukseli, Callamard bëri thirrjen se “BE-ja duhet të mbrojë atë mbi të cilën është themeluar, të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare, paqen ndërkombëtare”.
Pasi iu referua deklaratave të disa vendeve të BE-së se do të lejonin kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të vizitonte vendet e tyre, Callamard tha “Askush nuk duhet të pengojë llogaridhënien e kësaj qeverie. Askush nuk duhet të sugjerojë që kriminelëve të luftës t’u bëhet pritje me qilim të kuq. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të qëndrojë shumë e vendosur. Duhet të sigurojë që urdhri i arrestit i GJNP-së të zbatohet. Duhet të marrë masa kundër Hungarisë për shkeljen e statutit të GJNP-së dhe ligjit e standardeve të BE-së”.
Callamard nënvizoi se Evropa po kalon një periudhë në të cilën zërat opozitarë po shtypen dhe duke përdorur shembullin e Gjermanisë tha:
“Është një gjë që Gjermania të mos e quajë atë që po ndodh në Gaza gjenocid ose krim kundër njerëzimit, por është një gjë tjetër që Gjermania të përdorë ligjin për të kufizuar lirinë legjitime të shprehjes së njerëzve që duan të tregojnë solidaritet me palestinezët”.
Më tej ajo u bëri thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë të tregojnë përpjekje për të siguruar që të pranohet e vërteta se ajo që po bën Izraeli është gjenocid dhe se Izraeli është autori i sulmeve.
Pasi theksoi se thirrja më urgjente për Gazën është heqja e bllokadës, Callamard tha: “Ne bëjmë thirrje që ushqimi, uji dhe ilaçet të lejohen të hyjnë në Gaza sipas nevojës. Jo në sasi të vogla, por në sasi të mëdha. Njerëzit po vdesin nga uria. Po vdesin njerëz. Prej 18 muajsh po vdesin dhe po viktimizohen gratë dhe fëmijët”.