Seanca e ardhshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatë Speciale mbahet muajin e ardhshëm

Në seancën e dytë ku morën pjesë katër ish-krerët e UÇK-së së bashku, avokati i presidentit të dorëhequr Hashim Thaçi paralajmëroi edhe një herë se do të kërkojë lirimin me kusht të klientit të tij

Mesi i muajit dhjetor është caktuar si kohë për mbajtjen e seancës së ardhshme statusore në Dhomat e Specializuara apo Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ben Emerson, avokati i Hashim Thaçit, presidentit të dorëhëqur të Kosovës, paralajmëroi se do të kërkojë lirimin me kusht të Thaçit.

Avokati Emerson ka thënë se ka pranuar urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Speciale ndaj Thaçit, por sipas tij, aty ka pasur redaktime, andaj ka kërkuar që t’i dorëzohen argumentet e përdorura në urdhrin e arrestit ndaj Thaçit.

Qëllimi i seancës së sotme ka qenë “të vlerësohet ecuria e çështjes dhe organizimi i shkëmbimit midis palëve në mënyrë që të mundësohet përgatitje e shpejtë për gjykim”, ndërsa në veçanti është diskutuar se deri ku ka shkuar Prokuroria me hetimet, numrin apo sasinë e përafërt të provave/dëshmive, materialet mbështetëse të aktakuzës.

Më herët, gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, tha se sot nuk do të caktohet data për fillimin e procesit të gjykimit, megjithëse Prokuroria kërkoi që hetimi të nisë në verën e vitit 2021, ndërsa në anën tjetër mbrojtja e konsideroi këtë afat si “absurd” duke kërkuar që gjykimi të nisë në vitin 2022.

Gjykatësi ka kërkuar që prokuroria të dorëzojë sa më shpejt materialet mbështetëse për rastin që të vendoset një datë për fillimin e gjykimit. Por, Prokuroria Speciale ka kërkuar kohë për t’i nxjerrë provat kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar që të ketë masa mbrojtëse për disa prej dëshmitarëve që janë pjesë e rastit ndaj krerëve të UÇK-së.

Në seancën e sotme, Prokuroria ka bërë të ditur se në këtë rast janë 153 dëshmitarë të përfshirë si dhe një material prej 1.500 provash materiale, përfshirë raporte, deklarata të dëshmitarëve, fotografi dhe mbi 20 orë material audio-vizual.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë transferuar për në objektin e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës më 4 dhe 5 nëntor, ndërsa aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj tyre thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Që të gjithë të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjatë seancave të ndara javën e kaluar u deklaruan të pafajshëm për të gjithë pikat e aktakuzës ndaj tyre.

Kategoritë
LajmeVendi