Rusisë nuk i pëlqyen kërcënimet e Trumpit për sanksione: “Rreshti i parë i postimit të tij është kyç”

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, iu përgjigj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

“Sanksionet e reja amerikane nuk do ta ndalojnë Moskën të arrijë objektivat e saj në Ukrainë”, deklaroi ajo, duke shtuar:

“Rreshti i parë i postimit është më i rëndësishmi. Për muaj të tërë, SHBA-të kanë qenë të përqendruara në fitoren e Ukrainës. Tani po e pranojnë realitetin se pozicioni i Ukrainës në fushën e betejës është i keq.”

Ajo theksoi se është e vërtetë që Ukraina ka humbur, pasi u mbështet dhe i besoi ekipit të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë.

“Sa i përket sanksioneve të reja, ne kemi përballuar aq shumë sanksione dhe ato nuk na kanë penguar të realizojmë qëllimet tona”, tha ajo.

Postimi i presidentit amerikan shënoi një ndryshim të madh në tonin e tij krahasuar me deklaratat e tij të fundit pro-Moskës.

“Duke marrë parasysh faktin se Rusia aktualisht po ‘godet’ Ukrainën në fushën e betejës, po shqyrtoj seriozisht vendosjen e sanksioneve të mëdha bankare, tarifave dhe sanksioneve të tjera ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare paqeje”, shkroi presidenti amerikan të premten.

Kategoritë
BotaLajme