Rusia tërheq ambasadorin e saj nga Washingtoni, pasi Biden tha se Putini është “vrasës”

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se komentet e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të, janë pasqyrim i problemeve të kaluara dhe aktuale të SHBA-së.

Rusia ka urdhëruar që ambasadori i saj në SHBA të kthehet në Moskë, pasi Biden ishte pajtuar me nocionin se Putini është vrasës. Biden po ashtu ka thënë se Putini do të përballet me hakmarrje për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA.

I pyetur për komentet e Bidenit, Putini, ka thënë se ka një “kuptim të thellë psikologjik në të”.

“Ne gjithmonë shohim te një person tjetër kualitetet tona dhe mendojmë se janë të njëjtën si ne”, ka thënë Putin në një intervistë televizve, raporton Deutsche Welle.

Lideri rus ka thënë se komentet e Bidenit janë të lidhur me historinë e SHBA-së të masakrimit të amerikanëve vendas dhe skllavërinë dhe madje edhe e ka lidhur me lëvizjen Black Lives Matter.

Putini ka thënë se Moska nuk do të prishë marrëdhëniet me Washingtonin për këtë çështje, por se do të punojë me SHBA-në në kushtet “përfituese” për Rusinë.

Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka quajtur komentet e Bidenit si shumë të këqija.

E nga Ministria e Jashtme e Rusisë është njoftuar se është ftuar të kthehet në Moskë ambasadori i saj në Washington, Anatoly Antonov.

“Ambasadori rus në Washington, Anatoly Antonov, është ftuar të kthehet në Moskë për të zhvilluar konsultime me synim për të analizuar se çfarë duhet të bëhet dhe ku të shkohet në kontekst të lidhjes me SHBA-në”, ka thënë Ministria.

Kategoritë
BotaLajme