Në një sulm të fuqishëm rus me dronë ndaj kryeqytetit ukrainas Kiev gjatë natës, të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 29 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe shtatë fëmijë, ka njoftuar Shërbimi Shtetëror për Situata të Jashtëzakonshme i Ukrainës.
Ky është sulmi i dytë rus ndaj kryeqytetit të Ukrainës brenda dy ditësh.
Sipas autoriteteve lokale, disa shpërthime u dëgjuan në qytet rreth orës 2:35 sipas kohës lokale, ndërsa mbrojtja ajrore ishte aktive gjatë gjithë sulmit. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko, konfirmoi se janë goditur dy ndërtesa banimi në lagjen Desnjanski — një me nëntë dhe tjetra me gjashtëmbëdhjetë kate. Në objektet e goditura kanë shpërthyer zjarre dhe dritaret janë thyer në disa kate.
“Katër fëmijë janë mes të plagosurve. Të gjithë po marrin ndihmë mjekësore dhe disa janë hospitalizuar,” njoftoi Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit përmes Telegramit.
Shërbimi Shtetëror për Situata të Jashtëzakonshme më pas mohoi raportimet e mëparshme për goditjen e një pallati në lagjen Obolonski, duke theksuar se ekipet e shpëtimit ende ndodhen në terren dhe po kërkojnë nën rrënoja. Në rrjetet sociale janë shfaqur pamje që tregojnë shpërthime të fuqishme dhe zjarr të madh në një nga objektet e goditura.
Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi forcat ruse kishin qëlluar Kievin me raketa balistike, ku humbën jetën dy persona dhe 12 të tjerë u plagosën.
Raketa dhe dronë
Rusët sulmuan brutalisht Kievin, pamjet janë tronditëse: ka të vdekur dhe të plagosur.
Që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022, Rusia ka sulmuar rregullisht qytetet ukrainase, ndërsa muajt e fundit ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike, gjë që ka sjellë kufizime të energjisë elektrike në mbarë vendin.
Kryebashkiaku Kliçko më herët kishte paralajmëruar se dimri që po vjen mund të jetë “më i vështiri që nga fillimi i luftës”, duke u bërë thirrje banorëve të Kievit për kujdes dhe solidaritet.

















