Presidentja Shiroka Pula: Anëtarësimi në NATO mbetet synimi strategjik i Kosovës

Presidentja Shiroka Pula: Anëtarësimi në NATO mbetet synimi strategjik i Kosovës

Presidentja Shiroka Pula në fjalën e saj në këtë ceremoni theksoi se NATO ka një vend të veçantë në historinë e Kosovës, duke rikujtuar kontributin e saj vendimtar në çlirimin e vendit më 1999.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila mori pjesë në ceremoninë e dhjetëvjetorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim strategjik i vendit.

Presidentja Shiroka Pula në fjalën e saj në këtë ceremoni theksoi se NATO ka një vend të veçantë në historinë e Kosovës, duke rikujtuar kontributin e saj vendimtar në çlirimin e vendit më 1999, duke shprehur mirënjohjen e përhershme për këtë kontribut historik.

Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të Kosovës, ndërsa ambicia e vendit është zhvillimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në mënyrë që ushtarët e saj një ditë të qëndrojnë krah për krah me ushtarët e vendeve aleate, duke kontribuar në sigurinë dhe paqen e përbashkët.

Ajo vlerësoi lart kontributin dhjetëvjeçar të NALT-it në mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, përmes zhvillimit të kapaciteteve profesionale, strukturave institucionale, mbikëqyrjes demokratike dhe menaxhimit të emergjencave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi