Forcat ruse kanë depërtuar pranë Pokrovskut dhe Kostyantynivkës – dy qytete të rëndësishme për akset e furnizimit të ushtrisë ukrainase në lindje të vendit.
Rusia ka shtuar trupat në javët e fundit dhe, pavarësisht humbjeve të mëdha, ka arritur përparime në zonat rurale rreth Pokrovskut dhe Kostyantynivkës. Këta dy qytete ndodhen në kryqëzime rrugësh që çojnë drejt linjave të frontit nga qytetet e mëdha nën kontrollin e Kievit.
Përparimi i forcave ruse në front shoqërohet me intensifikim të sulmeve me dronë dhe raketa kundër Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase. Të gjitha këto po ndodhin në një kohë kur po shfaqen gjithnjë e më shumë sinjale se mbështetja e Uashingtonit për përpjekjet luftarake të Ukrainës po dobësohet.
Përpjekjet e Presidentit amerikan Donald Trump për të arritur një armëpushim në këtë luftë, që Rusia e nisi me invazion të përgjithshëm në Ukrainë në shkurt 2022, deri tani nuk kanë dhënë rezultate.
Një nga objektivat e ofensivës ruse është pushtimi i pjesës së mbetur të rajonit të Donetskut. Tani, me grupe të vogla sulmuese, mjete të lehta dhe dronë, forcat ruse po përpiqen të depërtojnë drejt rajonit fqinj, tha për Reuters zëdhënësi ushtarak Viktor Trehubov. Sipas tij, bëhet fjalë për sulme të vazhdueshme me synimin për të shkelur kufijtë e rajonit Dnipropetrovsk me çdo kusht.
Rreth Pokrovskut, i cili forcat ruse po përpiqen ta pushtojnë që nga fillimi i vitit të kaluar, aktualisht ndodhen rreth 111,000 ushtarë rusë, tha javën e kaluar komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase, Oleksandr Sirski. Ai shtoi se në atë zonë zhvillohen çdo ditë dhjetëra përleshje luftarake.
Projekti ukrainas DeepState, që përdor burime të hapura për hartimin e vijës së frontit, njoftoi se ushtria ruse në qershor pushtoi 556 kilometra katrorë territor ukrainas. Sipas tyre, ky është humbja mujore më e madhe territoriale që nga nëntori.
Forcat e armatosura ruse kanë mbizotërim numerik, dhe në maj bllokuan rrugën kryesore që lidh Pokrovskun me Kostyantynivkën, duke vështirësuar akoma më shumë lëvizjen dhe furnizimin e ukrainasve.
“Përparimi i Rusisë po ngadalësohet ende, por prerja e aksit Pokrovsk–Kostyantynivka përbën një humbje strategjike dhe logjistike,” tha Trehubov.
Humbjet e rënda kanë ndaluar trupat ruse të avanconin drejt Kostyantynivkës nga drejtimet e Chasiv Jarit ose Pokrovskut. “Tani po përpiqen të përparojnë më tej larg zonave të banuara,” shtoi ai.
DeepState gjithashtu vuri në dukje se përparimi rus në qershor në zonën e Pokrovskut dhe Novopavlivkës përbënte më shumë se gjysmën e fitoreve totale ruse përgjatë gjithë vijës së frontit në Ukrainë.
Megjithë dështimet dhe aktivitetin e dronëve që e zvogëlojnë efikasitetin e disa fortifikimeve mbrojtëse, Trehubov insiston se Pokrovski dhe Kostyantynivka mbeten akoma nyje logjistike kyçe për ushtrinë ukrainase.
“(Dronët) e vështirësojnë logjistikën për të dyja palët, por nuk e bllokojnë atë. Dronët, përfundimisht, nuk janë të pamposhtur,” përfundoi ai.