Rusia mbyll Konsullatën e Polonisë në Kaliningrad

“Çdo veprim armiqësor kundër vendit tonë nuk do të mbetet pa përgjigje ose pa pasoja”, thotë Ministria e Jashtme ruse në deklaratë

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se ka vendosur të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme të Polonisë në Kaliningrad, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se Polonia në maj vendosi të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme Ruse në Krakow.

“Ky ishte një hap armiqësor”, thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se i Ngarkuari me Punë i Polonisë në Rusi është thirrur në ministri për këtë arsye.

“Ambasadorit iu dha një notë ku thuhet se vendimi që lejonte aktivitetet e Konsullatës së Përgjithshme polake në Kaliningrad është tërhequr që nga 29 gushti. Çdo veprim armiqësor kundër vendit tonë nuk do të mbetet pa përgjigje ose pa pasoja”, thotë Ministria e Jashtme ruse në deklaratë.

– Ngjarja

Më 11 maj, kryeministri polak Donald Tusk pretendoi se zjarri që shpërtheu vitin e kaluar në qendrën tregtare “Marywilska 44” në kryeqytetin polak Varshavë, ishte “zjarrvënie” e orkestruar nga agjencitë ruse të inteligjencës.

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski më pas njoftoi vendimin për të mbyllur Konsullatën e Përgjithshme ruse në Krakow.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se akuzat e Polonisë kundër Rusisë ishin “të pabaza” dhe “të pavërteta”. “Kjo është një qasje jomiqësore ndaj vendit tonë. Polonia ka zgjedhur të mbajë një qëndrim armiqësor kundër nesh”, tha Peskov.

Kategoritë
BotaLajme