Zakharova theksoi nevojën për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar humanitar dhe papranueshmërinë e dhunës kundër infrastrukturës civile
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova kritikoi sulmet ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
“Jemi të tronditur nga informacioni për vdekjen e një numri të madh civilësh si pasojë e bombardimeve nga avionët izraelitë të një kampi refugjatësh në qytetin Jabalia në Rripin e Gazës”, tha Zakharova në një konferencë shtypi në Moskë.
Zakharova theksoi nevojën për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar humanitar dhe papranueshmërinë e dhunës kundër infrastrukturës civile.
Ajo përsëriti qëndrimin e Rusisë dhe kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe u zotua të vazhdojë përpjekjet për të arritur këtë qëllim.
Zakharova tha se 1.000 qytetarë rusë kanë aplikuar për t’u evakuuar nga Rripi i Gazës dhe diplomatët po punojnë me autoritetet izraelite, egjiptiane dhe palestineze për t’i larguar ata nga zona e rrezikshme.
Lidhur me kritikat izraelite për kontaktet e Rusisë me përfaqësuesit e grupit të rezistencës palestineze Hamas në Moskë, ajo përmendi se më parë, komunikime të tilla nuk tërhoqën kritikat e Tel Avivit dhe për disa arsye, kontaktet e SHBA-së me grupin nuk e shqetësojnë Izraelin.