“Rusia është e gatshme të angazhohet në negociata të përgjegjshme, por dyshon në aftësinë e palës tjetër për të arritur marrëveshje”, tha zv/ministri i Jashtëm rus, Ryabkov
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov tha sot se në mesin e temave të negociatave të së enjtes në Stamboll midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfshihen zgjidhje të qëndrueshme dhe realitete në terren si dhe shqetësimet territoriale, raporton Anadolu.
“Rusia është e gatshme të angazhohet në negociata të përgjegjshme, por dyshon në aftësinë e palës tjetër për të arritur marrëveshje”, deklaroi Ryabkov pas takimit me ambasadorin turk Tanju Bilgiç në Moskë.
“Është e nevojshme të sigurohet njohja e realiteteve ‘në terren’ në kontekstin e konfliktit në Ukrainë, përfshirë hyrjen e territoreve të reja në Rusi”, thekson ai.
Megjithatë, ai shtoi se pamundësia e Kievit për të negociuar është një nga pengesat në procesin e negociatave.
Duke shpjeguar zgjedhjen e lokacionit për bisedimet, Ryabkov përmendi dialogun intensiv të Rusisë me Turqinë si një nga arsyet.
Propozimi për bisedime pa kushte në Stamboll u bë nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një konference për media në Moskë të dielën.
Më vonë atë ditë, gjatë një bisede telefonike me Putinin, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan konfirmoi gatishmërinë e Turqisë për të pritur takimin të enjten në Stamboll.