Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ka deklaruar se kompani të industrisë së mbrojtjes në Serbi po i shesin armë dhe municion Ukrainës, pavarësisht qëndrimit zyrtar të Beogradit për neutralitet.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të SVR-së thuhet se këto shitje po realizohen përmes një “skeme” që përfshin “certifikata të rreme” dhe “shtete ndërmjetëse”.
“Departamenti i Komunikimit Publik të SVR-së njofton se, sipas informacionit të marrë nga Shërbimi, kompanitë serbe të mbrojtjes, megjithë ‘neutralitetin’ e deklaruar nga Beogradi zyrtar, po vazhdojnë të furnizojnë Kievin me municion”, thuhet në deklaratë.
SVR pretendon se e njëjta metodë përdoret nga vende të NATO-s si Çekia, Polonia dhe Bullgaria, por edhe nga “disa vende ekzotike afrikane”.
“Kontributi i punëtorëve serbë të industrisë së mbrojtjes në luftën e nisur nga Perëndimi – të cilën Evropa dëshiron ta shohë si ‘disfatë strategjike’ të Rusisë – matet me qindra mijëra predha për raketahedhës shumëfish dhe haubica, si dhe me miliona plumba për armë të lehta. Është e vështirë që këto furnizime të justifikohen me ‘arsye humanitare’. Ato kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe gjymtojnë ushtarë dhe civilë rusë”, thuhet në deklaratë, megjithëse vlen të theksohet se agresioni ndaj Ukrainës u nis nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
SVR ka publikuar edhe emrat e kompanive serbe që i akuzon për furnizim të ushtrisë ukrainase:
“Kompanitë më të mëdha të kompleksit industrial ushtarak të Serbisë, përfshirë Yugoimport SDPR, Zenitprom, Krušik, Sofag, Reyer DTI, Sloboda, Prvi Partizan dhe të tjera, janë pjesë e një ‘linje vdekjeje’ të organizuar në Serbi – një vend që konsiderohet mik i Rusisë.”
Më tej, SVR këtë e quan një “tradhti” dhe kujton mbështetjen që Rusia i ka dhënë Serbisë në momentet më të vështira të historisë së saj:
“Le të kujtojmë, për shembull, çlirimin e Serbisë nga zgjedha osmane, parandalimin e katastrofës kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore, luftën kundër okupatorëve fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, bombardimet e NATO-s mbi Beogradin, tragjedinë e Kosovës.”
Në fund, ata akuzojnë punëtorët e industrisë ushtarake serbe se “po përfitojnë nga gjaku i popujve vëllezër sllavë” dhe shtojnë se “ata duhet të dinë kush janë miqtë e tyre të vërtetë.”