Rusia akuzon Britaninë për nxitje të Ukrainës në ‘akte terroriste’

“Londra është një nga kukullat kryesore, duke nxitur gjithë Perëndimin të mbështesë Ukrainën gjithnjë e më hapur dhe më seriozisht”, tha ministri i Jashtëm rus Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, fajësoi Britaninë për nxitjen e Ukrainës për të kryer “akte terroriste”, por edhe si një nga aktorët kryesorë që nxit Perëndimin të mbështesë hapur Kievin, raporton Anadolu.

“Londra është një nga kukullat kryesore, duke nxitur gjithë Perëndimin të mbështesë Ukrainën gjithnjë e më hapur dhe më seriozisht”, tha Lavrov gjatë një konference për shtyp në Maputo të Mozambikut, ku ishte në një vizitë zyrtare.

Lavrov tha se Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly “spekuloi se Londra nuk inkurajon sulmet ndaj Rusisë”, por që autoritetet ukrainase dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës “gjoja e dinë më mirë se si duhet të sigurojnë integritetin e tyre territorial”.

“(Kjo është) nxitje e drejtpërdrejtë ndaj asaj që kanë bërë terroristët në Kiev”, pohoi kryediplomati rus.

Ai shtoi se ushtria ruse po merret me pasojat e furnizimit të Ukrainës me armë perëndimore, të cilin ai e quajti “politikë kriminale”.

“Është një gënjeshtër, Perëndimi e furnizon Ukrainën me armë, ndërsa pretendon se nuk i mbështet sulmet kundër Rusisë”, tha ai.

Komentet e Lavrovit vijnë një ditë pasi Cleverly tha se Ukraina ka të drejtë të “projektojë forcën përtej kufijve të saj” në vetëmbrojtje.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur i Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar. Ajo ka ofruar ndihmë ushtarake, ekonomike, humanitare dhe mbrojtëse për Kievin, si dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Kategoritë
BotaLajme