Rusia është e gatshme të diskutojë për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë, por vetëm nëse bëhet përparim drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Në sinjalin e parë pozitiv nga presidenti Vladimir Putin ndaj thirrjes së homologut të tij amerikan, Donald Trump, për një ndalim të luftimeve, kjo ofertë u përcoll muajin e kaluar në bisedimet në Arabinë Saudite mes zyrtarëve të lartë rusë dhe amerikanë.
Për të arritur një ndalim të armiqësive, duhet të ketë një kuptim të qartë të parimeve bazë të marrëveshjes përfundimtare të paqes, thanë dy persona të njohur me çështjen. Rusia, ndër të tjera, do të insistojë në përcaktimin e parametrave të një misioni të mundshëm paqeruajtës, duke përfshirë marrëveshjen se cilat vende do të merrnin pjesë.
Këto detaje dolën në dritë ndërsa SHBA dhe Ukraina po përgatiten për një takim në Arabinë Saudite javën e ardhshme, i cili do të jetë dialogu i tyre i parë i drejtpërdrejtë pas përplasjes së tensionuar midis Trumpit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, raporton Bloomberg.
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, deklaroi se qëllimi i takimit është krijimi i një “kuadri për një marrëveshje paqeje dhe një armëpushim fillestar”.
Duke folur nga Zyra Ovale të premten, Trump tha se ai mbështet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve dhe shprehu besimin se edhe Putini dëshiron të njëjtën gjë.
“Mendoj se do të jetë më bujar sesa do të duhej të ishte”, tha Trump për gazetarët.
“Mendoj se po ecim shumë mirë me Rusinë”, shtoi ai. “Por, aktualisht ata po bombardojnë Ukrainën pa mëshirë.”
Trump gjithashtu tha: “Për të qenë i sinqertë, po e gjej më të vështirë të negocioj me Ukrainën sesa me Rusinë.”
Komentet e tij erdhën pas një postimi në rrjetet sociale të premten në mëngjes, ku ai kërcënoi me vendosjen e sanksioneve dhe tarifave të reja ndaj Rusisë për të detyruar Kremlinin të pranojë një marrëveshje paqeje.
Në një fjalim të tijin të përditshëm, Zelensky deklaroi: “Sot po zhvillohet puna më intensive ndonjëherë me ekipin e presidentit Trump, dhe kjo në disa nivele.”
“Temat janë të qarta: paqja sa më shpejt që të jetë e mundur, siguria sa më e besueshme që të jetë e mundur”, tha Zelensky. “Ukraina është shumë konstruktive.”
Rusia e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë praninë e trupave të NATO-s në territorin ukrainas, duke hedhur poshtë propozimin e disa vendeve evropiane për të krijuar një “koalicion të vullnetarëve” për të monitoruar çdo marrëveshje paqeje. Megjithatë, Moska nuk kundërshton që vende neutrale, si Kina, të përfshihen në proces.
Që nga fjalimi i tij inaugurues më 20 janar, Trump ka ndryshuar qasjen amerikane ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke u përpjekur ta përfundojë sa më shpejt luftën trevjeçare, e cila është konflikti më i rëndë në Evropë në 80 vitet e fundit.
Muajin e kaluar, ai bisedoi në telefon me Putinin, gjatë së cilës dy liderët ranë dakord të organizojnë një samit, ndonëse data ende nuk është caktuar. Trump ka tërhequr mbështetjen amerikane për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, ndërsa zyrtarët e tij të lartë kanë deklaruar se nuk është realiste të pritet që Ukraina të rimarrë të gjitha territoret e saj të pushtuara nga Rusia që nga viti 2014.
Pas përplasjes me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ndërpreu një pjesë të inteligjencës që ndahej me Kievin, duke tronditur aleatët evropianë, të cilët pretendojnë se SHBA po shpërblen agresionin rus të shkurtit 2022.
Putini ka refuzuar disa herë përpjekjet e Trumpit për një përfundim të shpejtë të luftës. Gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp në dhjetor, ai deklaroi:
“Nuk kemi nevojë për një armëpushim – kemi nevojë për paqe: afatgjatë, të qëndrueshme dhe me garanci për Federatën Ruse dhe qytetarët e saj.”
Të enjten, Rusia hodhi poshtë një plan franko-britanik për një armëpushim të pjesshëm njëmujor, i cili përfshinte operacionet ajrore dhe detare, duke përfshirë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.