Rudari: Herët kemi marrë informata se mund të ketë masa të reja për shtatë qytete

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka folur për masat e reja që janë vendosur sot nga Qeveria për shtatë komuna pas numrit të madh të rasteve me COVID-19 që janë shfaqur ditëve të fundit.

Rudari ka thënë se të gjitha komunat i kanë marrë vendimet e reja dhe se tani ka mbetur vetëm zbatimi i tyre.

“Ne të gjithë kryetaret e komunave jemi në një grup në Viber me Asociacionin e Komunave të Kosovës ku informohemi për të gjitha ndryshimet e mundshme”.

“Sot herët ne kemi marrë informata se është duke u biseduar që të merren masa të reja për shtatë komunat. Në këtë rast Podujeva bën pjesë në këto komuna por që ka numër më të paktë të të prekurve me COVID-19 se sa gjashtë qytetet tjera”.

“Prej fillimit të pandemisë tek ne janë shfaqur 877 raste, prej tyre 671 janë të shëruar, 180 janë raste aktive dhe kemi 26 të vdekur nga COVID-19”.

Rudari ka thënë se ky vendim do të jetë ndoshta i vështirë për t’u zbatuar sot për një pjesë të lokaleve pasi që ka mundësi të mos e kenë kuptuar të gjithë vendimin e mbylljes për këtë vikend, por tha se ata do të dalin në teren dhe do të bëjnë inspektime për këtë gjë.

Kategoritë
LajmeVendi