Kushdo që “ofron shërbime për këta aktorë të sanksionuar rrezikon të sanksionohet gjithashtu”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të martën vendosi sanksione ndaj subjekteve të tjera të lidhura me kompaninë e kontrolluar nga ushtria kubaneze, “Grupo de Administracion Empresarial S.A” (GAESA), transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale amerikane X, Rubio tha se situata në Kubë po përkeqësohet për shkak të regjimit “të korruptuar” të ishullit, i cili sipas tij i jep përparësi “kontrollit total” të vet mbi mirëqenien e popullit kuban.
“Konglomerati i kontrolluar nga ushtria kubaneze, GAESA, ka shërbyer vazhdimisht si mjeti kryesor për elitat e regjimit për të vjedhur burimet e pakta të ishullit, duke i devijuar ato për represion, subversion antiamerikan dhe spiunazh në vend të shkollave, centraleve elektrike dhe nevojave bazë për popullin kuban”, tha Rubio.
“Sot kam vendosur sanksione ndaj subjekteve të tjera të rrjetit GAESA që lidhen me lëvizjen e parave dhe aseteve fizike të tij, si dhe ndaj subjekteve përgjegjëse për shfrytëzimin e rezervave minerale dhe metalike të Kubës për përfitime të paligjshme”, shtoi ai.
Rubio tha se kushdo që “ofron shërbime për këta aktorë të sanksionuar rrezikon të sanksionohet gjithashtu”, duke u bërë thirrje bankave dhe kompanive të huaja që të ndërpresin menjëherë këto aktivitete.










