Rinia saudite sfidon princin Salman: “Rënia jote do të vijë nga duart e popullit tënd”

Një valë videosh të publikuara nga të rinj saudite të maskuar, të cilët shprehin pakënaqësi ndaj kushteve të jetesës në Arabinë Saudite dhe bëjnë thirrje për rrëzimin e princit të kurorës Mohammed bin Salman, ka ndezur debat të madh në rrjetet sociale këtë javë.

Zëri i rinisë – përballë luksit dhe shtypjes

Videot – të publikuara në TikTok dhe më pas të shpërndara gjerësisht në platforma të tjera – tregojnë persona me fytyra dhe sy të mbuluar, zëra të modifikuar dhe mesazhe të fuqishme për atë që e quajnë “rënim i kushteve të jetesës” dhe mungesë mundësish ekonomike, ndërkohë që shteti shpenzon miliarda për festa, koncerte dhe projekte madhështore.

“Aktualisht po dëshmojmë një lëvizje të fuqishme që udhëhiqet nga rinia e lirë e këtij kombi, që me guxim po kërkon të drejtat legjitime: lirinë dhe të drejtën për të vendosur vetë për fatin e tyre”, tha një përdorues në reagim.

Të tjerë i përshkruan videot si “reflektim i zhgënjimit të thellë” të brendshëm dhe thanë se personat e maskuar përfaqësojnë zërat e shtypur brenda mbretërisë.

“Sauditi i maskuar nuk është thjesht një individ, por një simbol i dinjitetit… pas maskës fshihet një atdhe që ende nuk ka lindur”, u shpreh një komentues.

Reagime, solidaritet dhe frikë nga represioni

Pas publikimit të videove, u shfaqën edhe reagime solidarizuese. Por njëkohësisht, disa përdorues nisën fushata me hashtag #TradhtarëtEMbretërisë, duke i akuzuar të rinjtë si “agjentë të huaj” që duan të destabilizojnë Arabinë Saudite nga jashtë.

Ka gjithashtu shqetësime serioze për sigurinë e këtyre personave. Nën udhëheqjen e bin Salmanit që nga viti 2017, burgosjet për postime në rrjetet sociale, edhe nga llogari anonime, janë bërë praktikë e zakonshme. Ligjet kundër “krimeve kibernetike” dhe “terrorizmit” përdoren gjerësisht kundër kritikëve – shpesh me dënime shumëvjeçare dhe ndalime udhëtimi.

Revolta ndaj Vision 2030 dhe thirrje për ndryshim

Një temë e përbashkët në videot e publikuara është dënimi i shpenzimeve publike për koncerte, festivale dhe projekte luksoze, që sipas tyre, vijnë në kurriz të shërbimeve bazë dhe ekonomisë publike. Ata kritikojnë edhe atë që e konsiderojnë si shthurje morale, përmes ngjarjeve publike që sipas tyre janë në kundërshtim me vlerat islame.

“E dimë se ka shumë njerëz të lirë që dëshirojnë ndryshim paqësor – një fund të tiranisë së familjes Al Saud, që e ka keqtrajtuar popullin me pasurinë e vet, i ka provokuar me ide dhe projekte mashtruese që kurrë nuk janë realizuar”, thuhet në një video.

Ultimatum i qartë princit Salman

Në disa video lëshohet kërcënimi për protesta masive nëse nuk ndalet represioni dhe nuk ndodh reformë.

Një burrë u shpreh qartë: “Do të dalim në rrugë me demonstrata dhe marshime nëse vazhdoni të mbyllni njerëz.”

Një tjetër tha troç:“Kjo është një mesazh drejtpërdrejt për Mohammed bin Salman: rënia jote do të vijë nga duart e popullit tënd.”

Kategoritë
BotaLajme