Rifillojnë punimet restauruese në kompleksin Al-Aksa

Izraeli ndaloi punëtorët të kryenin punimet e restaurimit në xhaminë Kupola e Shkëmbit në kompleksin Al-Aksa.

Jordania njoftoi rifillimin e punimeve të riparimit në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa të Kudsit, disa ditë pasi punimet u ndaluan nga forcat izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).

Njoftimi erdhi gjatë një takimi midis ministrit të Jashtëm të Jordanisë, Ayman al-Safadi, me anëtarët e Komitetit Palestinez në parlament.

“Punimet e riparimit u rifilluan pas përpjekjeve diplomatike jordaneze”, tha ministri jordanez, duke përsëritur mbështetjen e vendosur të vendit të tij për çështjen Palestineze.

Të dielën, forcat izraelite parandaluan punëtorët të kryenin punimet restauruese në Xhaminë Kupola e Shkëmbit në kompleksin Al-Aksa.

Tel Avivi nuk përmendi ndonjë arsye për ndalimin e punimeve.

Departamenti i Vakëfit Islam i udhëhequr nga Jordania është përgjegjës për mbikëqyrjen e vendeve të shenjta islame dhe të krishtera në Kuds sipas marrëveshjes së paqes të vitit 1994 midis Jordanisë dhe Izraelit.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet kompleksi Al-Aksa, gjatë Luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky i cili kurrë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare.

Kategoritë
BotaLajme