Rënia e çatisë, Prokuroria ndalon një zyrtar të Komunës së Prishtinës dhe përgjegjësin e kompanisë që kreu punët

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Komunës së Prishtinës në Arbër ka ndaluar dy persona. Bëhet fjalë për zyrtar komunal me inicialet Y.J dhe personi përgjegjës i kompanisë që ka kryer punimet me inicialet B.B 

Gjithashtu bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e 23 vjeçares që u lëndua mbetet kritike.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e lënduar rëndë një qytetare e Republikës së Kosovës dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike, si dhe në këtë ngjarje u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, me ç’ rast në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, ju njoftojmë se nga ana e Prokurorit të Shtetit është angazhuar eksperti gjyqësor nga lëmia e ndërtimtarisë në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante”, përfundon njoftimi.

Kategoritë
LajmeVendi