Reagimi i parë i Donald Trump pas dështimit të bisedimeve në Stamboll: “Asgjë nuk do të ndodhë pa një takim mes meje dhe Putinit”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë reagimin e tij të parë lidhur me bisedimet për përfundimin e luftës Rusi–Ukrainë, të planifikuara në Stamboll, por që humbën rëndësinë pasi liderët e dy vendeve nuk morën pjesë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte mbërritur në Ankara dhe deklaroi se do të shkonte në Stamboll vetëm nëse presidenti rus Vladimir Putin do të ishte prezent, ndërsa Kremlini sqaroi se nuk kishte plane për pjesëmarrjen e tij.

Trump, në një deklaratë dhënë nga aeroplani presidencial amerikan “Air Force One”, theksoi: “Asgjë nuk do të ndodhë derisa të takohem unë dhe Putin. Ishte e qartë që ai nuk do të vinte. Donte të vinte, por vetëm nëse unë do të isha aty.”

Ai shtoi gjithashtu se nuk beson që këto bisedime do ta ndalin luftën që filloi me agresionin rus në shkurt të vitit 2022:
“Kjo situatë duhet të zgjidhet, sepse shumë njerëz po vdesin”, theksoi Trump, duke përsëritur një mesazh që e ka dhënë shpesh në këtë kontekst.

Putin kishte ftuar Zelenskyn për bisedime dhe kishte përzgjedhur si datë dhe vend pikërisht këtë takim në Stamboll. Mirëpo, sapo Zelensky pranoi ftesën, Putin njoftoi se nuk do të ishte i pranishëm personalisht.

Nga ana tjetër, Zelensky deklaroi se do të merrte pjesë në bisedime vetëm nëse do të takohej drejtpërdrejt me Putinin, duke refuzuar çdo kontakt me delegacionin e tij.

Trump ka dërguar në Stamboll të dërguarit e tij specialë për rajonin – Steve Witkoff dhe Keith Kellogg.

Edhe pse takimi ishte parashikuar të fillonte në mëngjes, ai u shty “me kërkesë të Turqisë” për në orët e mëvonshme të ditës. Megjithatë, mungesa e liderëve të dy vendeve hedh dyshime serioze nëse këto bisedime për paqe do të realizohen fare.

Kategoritë
BotaLajme