Raportimet për rialokimin e fondeve të BE-së, reagon anëtarja e Bordit Këshillues të Ursula von der Leyen: ‘’Deri më tani nuk ka asnjë vendim zyrtar’’

Anëtarja e Bordit Këshillues Rinor të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Donika Zogu ka reaguar pas raportimeve të fundit lidhur me mundësinë e një rialokimi të pjesshëm të fondeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Ajo ka theksuar se këto raportime nuk përbëjnë vendime institucionale dhe se deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Bashkimi Evropian për një ndryshim të tillë në shpërndarjen e fondeve.

Sipas saj, çdo interpretim i kësaj natyre duhet të bëhet me kujdes dhe duke u bazuar vetëm në komunikimet zyrtare të institucioneve të BE-së.

Zogu shton se edhe në rast se tema të tilla diskutohen në nivel institucional, ato mbeten pjesë e logjikës së politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku instrumentet financiare bazohen në parimin e meritës dhe progresit në reforma.

Ajo thekson se procesi i vlerësimit nga BE është dinamik dhe i vazhdueshëm, dhe nuk mund të përcaktohet nga një raportim i vetëm

Postimi i plotë

Po shoh se gjatë ditës së djeshme dhe sot ka qarkulluar gjerësisht një raportim mediatik lidhur me mundësinë e rialokimit të një pjese të fondeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Për referencë, artikulli mund të lexohet këtu:
Duke qenë se vetëm pak ditë më parë kisha mbledhjen e radhës me përfaqësues dhe komisionerë të Komisionit Evropian, ndërsa në ditët në vijim do të jem personalisht në Bruksel në kuadër të angazhimeve të mia në European Commission (PYAB), ndiej përgjegjësi të ndaj një vlerësim mbi këtë çështje.
Së pari, është e rëndësishme të theksohet se raportimet mediatike nuk përbëjnë domosdoshmërisht vendime institucionale. Deri më tani, nuk ekziston një vendim përfundimtar i institucioneve të Bashkimit Evropian për një rialokim të tillë të fondeve. Për këtë arsye, çdo interpretim duhet të bëhet me kujdes dhe duke pritur komunikimet zyrtare të institucioneve kompetente.
Së dyti, edhe nëse diskutime të tilla zhvillohen në nivel institucional, ato nuk janë jashtë logjikës së politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Instrumentet financiare të BE-së janë konceptuar mbi parimin e meritës, ku progresi në reforma, zbatimi i objektivave të dakorduara dhe kapaciteti institucional mbeten kriteret themelore të vlerësimit.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksohet se Kosova ka bërë hapa konkretë në kuadër të agjendës së reformave dhe vazhdon të punojë ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. Procesi i vlerësimit është dinamik dhe i vazhdueshëm; ai nuk përcaktohet nga një moment i vetëm dhe as nga një raportim i vetëm mediatik.
Nga angazhimi im në proceset evropiane dhe Rajonale në WB6, kam parë se në BE rëndësi të veçantë u kushtohet dialogut, vazhdimësisë së reformave dhe partneritetit afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye, besoj se është e rëndësishme të shmangim përfundimet e nxituara dhe ta lexojmë çdo zhvillim në dritën e dokumenteve dhe vendimeve zyrtare.
Integrimi evropian nuk është një garë që përcaktohet nga titujt e një dite. Ai është një proces afatgjatë, i ndërtuar mbi besueshmëri, rezultate dhe reforma të qëndrueshme. Prandaj, më shumë se sa të krijojmë shqetësim nga raportimet mediatike, duhet të vazhdojmë të përqendrohemi te ajo që ka qenë gjithmonë çelësi i afrimit me Bashkimin Evropian: puna serioze, reformat dhe përmbushja e standardeve.
.
.
©️Përmbajtja e imazhit është paraqitur vetëm për qëllime informimi dhe nuk duhet të përdoret apo të riprodhohet jashtë kontekstit të publikimit.

 

Kategoritë
LajmeVendi