Raporti i OKB-së: Situata apokaliptike në Gaza kërkon embargo tregtar

Një eksperte e OKB-së të enjten bëri thirrje shteteve që të vendosin embargo armësh dhe të ndërpresin lidhjet tregtare e financiare me Izraelin, të cilin e akuzon për “fushatë gjenocidiale” në Gaza.

Në fjalimin para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, raportuesja e veçantë për territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, deklaroi:
“Situata në territorin e pushtuar palestinez është apokaliptike. Izraeli është përgjegjës për një nga gjenocidet më mizore në historinë moderne,” raporton Reuters.

Izraeli hodhi poshtë akuzat për gjenocid në Gaza, duke iu referuar të drejtës së vetëmbrojtjes pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023. Delegati izraelit nuk ishte i pranishëm në sallë, në përputhje me politikën e re të tërheqjes nga ky këshill, për të cilën Izraeli pretendon se tregon prirje antisemitiste.

Albanese, një nga dhjetëra ekspertët e pavarur të autorizuar nga OKB për dokumentimin e abuzimeve kudo në botë, paraqiti raportin e saj më të fundit, ku emëroi mbi 60 kompani që, sipas saj, janë të përfshira në mbështetjen e vendbanimeve izraelite dhe veprimeve ushtarake në Gaza.

“Çfarë po paraqes nuk është një listë thjeshtësisht, por një sistem, dhe ai duhet të trajtohet. Duhet ta ndryshojmë situatën,” u bëri thirrje ajo vendeve, duke kërkuar embargo të plotë armësh, pezullim të të gjitha marrëveshjeve tregtare dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të kompanive për përfshirjen e tyre në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Misioni diplomatik izraelit në Gjenevë njoftoi më herët këtë javë se raporti i fundit i Albanese është “i pabazë ligjërisht, shpifës dhe abuzim flagrant i pozicionit të saj.”

Kategoritë
BotaLajme