Rama për spitalin e Fierit që do të ndërtohet nga Turqia: Do të jetë qendër e transferimit të dijes

Kryeministri Rama theksoi se duhet urgjentisht të përcaktohet një “vend domethëns” për spitalin rajonal të Fierit, i cili sipas tij do t’i shërbejë të gjithë jugut të Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas kthimit nga vizita në Turqi ka vizituar qytetin e Fierit, ku do të ndërtohet spitali rajonal nga shteti i Turqisë.

Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, në prani edhe të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama theksoi se duhet urgjentisht të përcaktohet një “vend domethëns” për spitalin rajonal të Fierit, i cili sipas tij do t’i shërbejë të gjithë jugut të Shqipërisë.

“Nuk është vetëm ndërtimi, por edhe transferim teknologjik dhe transferim dije, sepse për një periudhë kohe do të administrohet nga buimet njerëzore të sistemit shëndetësor të Republikës së Turqisë”, theksoi Rama.

Më tej, Rama tha se ai të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve të republikës se Shqipërisë dhe se burimet njerëzore do të administrohen nga vetë ata me të njëjtin sistem.

“Do të rekrutohen mjekët, infermierët me standardet e duhura”, u shpreh ai.

Në lidhje me këtë projekt, duke publikuar vidoen nga vizita në Fier, Rama ka shkruar se, “Nisim punën për Spitalin rajonal, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar, duke u administruar e drejtuar në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë mbi supet e tyre”.

Kujtojmë se ndërtimin e një spitali në Shqipëri brenda tre muajve e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi disa ditë më parë.

Kategoritë
LajmeRajoni