Rama nga samiti: Të krijojmë një aleancë europiane për arsimin dhe shkencën

Kryeministri Edi Rama propozoi një qasje të re për të ardhmen e Europës gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Europian (KPE), që po mbahet në Tiranë. Ai u bëri thirrje liderëve europianë që të mos fokusohen vetëm te mbrojtja dhe armatimi, por të ndërtojnë një “aleancë përtej armatimit”, duke përfshirë arsimin, shkencën dhe inovacionin si prioritet strategjik të përbashkët.

“Nuk duhet të investojmë vetëm te mbrojtja, por te zemrat e mendjet që do të mbartin me vete shpirtin e Europës”, deklaroi Rama, duke shtuar se “duhet t’u japim të rinjve një të ardhme më të mirë.”

Ai sugjeroi që Komuniteti Politik Europian të shndërrohet në një platformë më të gjerë bashkëpunimi mes vendeve anëtare dhe joanëtare të BE-së, veçanërisht në fusha si arsimi, shkenca dhe inteligjenca artificiale:
“Pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, shkencës dhe Inteligjencës Artificiale. Një aleancë përtej armatimit. Një burim dijeje, kërkimi e inovacioni, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj, ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit.”

Në mesazhin e tij, Rama vuri theksin te nevoja për të ndërtuar një “shtëpi të re europiane”, jo mbi armët, por mbi ëndrrat dhe imagjinatën e brezave të rinj.

“Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje, një kthim në shtëpi. Padyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve por me imagjinatën e fëmijëve tanë e etërve tanë, një vizion që na takon ne ta sjellim në jetë.”

Kategoritë
LajmeRajoni