Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit dhe pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e tij, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e dytë për media, Radoniqi tha se sipas raporteve të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, votimi po vazhdon në kushte të rregullta dhe në përputhje me procedurat zgjedhore.
“Ju njoftojmë se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit. Sipas të dhënave të raportuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, deri në këtë kohë votimi është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor. Votimi në vendvotime po vazhdon në përputhje me procedurat e përcaktuara zgjedhore”, tha Radoniqi.
Ai bëri të ditur se KQZ-ja ka aktivizuar dhomën operative për të garantuar koordinim dhe reagim të shpejtë gjatë ditës së zgjedhjeve, ku përveç zyrtarëve të KQZ-së janë të përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera përgjegjëse.
“Për të siguruar koordinim dhe reagim efektiv gjatë procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në funksion dhomën operative, ku janë të përfshirë zyrtarë të KQZ-së, si dhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe KEDS. Kjo qendër është aktive gjatë gjithë ditës së sotme të votimit dhe shërben për përcjelljen e zhvillimeve në terren, shkëmbimin e informacioneve dhe trajtimin e çështjeve që mund të paraqiten gjatë procesit. Çdo raportim i pranuar nga institucionet dhe strukturat përgjegjëse është duke u shqyrtuar me kujdes dhe në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi të secilit institucion”, deklaroi ai.
Duke prezantuar të dhënat e pjesëmarrjes në votime, Radoniqi njoftoi se deri në orën 11:00 kanë votuar 162 mijë e 439 qytetarë me të drejtë vote.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga më shumë se 97 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 162 mijë e 439 votues apo 8.29 për qind nga 1 milion e 959 mijë e 962 votues”, tha Radoniqi.
Ai krahasoi shifrat me zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se pjesëmarrja deri në të njëjtën orë është pothuajse e njëjtë.
“Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, sipas të dhënave nga rreth 94 për qind e vendvotimeve, kishin votuar 8.27 për qind apo 165 mijë e 404 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues”, tha ai.


















