Qeveria tha se ka ndërmarrë përpjekje diplomatike me autoritetet përkatëse në mbështetje të udhëtimit të arbitrit Omar Abdulkadir Artan, por këto përpjekje nuk kanë sjellë rezultat.
Qeveria e Somalisë shprehu keqardhje për refuzimin e hyrjes në SHBA për gjyqtarin ndërkombëtar somalez Omar Abdulkadir Artan, i cili duhej të gjykonte në Kupën e Botës, transmeton Anadolu.
Duke u prononcuar zyrtarisht për herë të parë mbi këtë çështje, qeveria tha në një deklaratë se ka ndërmarrë përpjekje diplomatike me autoritetet përkatëse në mbështetje të udhëtimit të Artanit.
“Për fat të keq, këto përpjekje nuk sollën një rezultat të favorshëm”, tha Ministria e Jashtme e Somalisë në një deklaratë.
“Somalia do të vazhdojë të angazhohet me partnerët përkatës për të kërkuar sqarime të mëtejshme lidhur me këtë çështje dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve të saj”, shtohet në deklaratë.
Artan mbërriti në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, nga Turqia të mërkurën më herët, ku u prit me një mirëseardhje heroike.
“Omar Artan ka bërë më shumë sesa të bashkojë botën e futbollit; ai ka ndezur shpresë te çdo fëmijë që guxon të ëndërrojë përtej horizontit. Ëndrrat mund të shtyhen, por nuk mposhten kurrë”, tha kryeministri somalez Hamza Abdi Barre në një deklaratë pas pritjes së Artanit në Mogadishu.
Mijëra tifozë duke valëvitur flamuj somalezë u mblodhën në stadiumin e Mogadishut për të mirëpritur gjyqtarin.
Ai u mbajt mbi supet e mbështetësve në një shfaqje solidariteti kombëtar.
“Unë ju premtoj se do të gjykoj në Botërorin e radhës dhe falënderoj FIFA-n dhe popullin somalez për mbështetjen e tyre”, tha Artan në një konferencë për shtyp pas mbërritjes së tij.
Federata e Futbollit të Somalisë e përshkroi rrugëtimin e Artanit si “një burim krenarie për Somalinë, CECAFA (Këshilli i Federatave të Futbollit të Afrikës Qendrore dhe Lindore) dhe futbollin afrikan”.
Refuzimi i hyrjes së tij në SHBA shkaktoi kritika ndërkombëtare, me disa tifozë futbolli që bënë thirrje për bojkot të Kupës së Botës.
Artan u shpall së fundmi Gjyqtari më i Mirë i Afrikës për vitin 2025 në Çmimet CAF në Rabat, Marok, të organizuara nga Konfederata Afrikane e Futbollit.
Një dekret i lëshuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump më 4 qershor 2025 ndalon plotësisht hyrjen në vend të shtetasve somalezë, duke thënë: “Hyrja në Shtetet e Bashkuara e shtetasve të Somalisë si imigrantë dhe joimigrantë pezullohet plotësisht”.








