Gjykata më e lartë në Itali ka vendosur që autoritetet e këtij vendi duhet të kompensojnë migrantët të cilëve iu ndalua hyrja në territorin italian në vitin 2018.
Qeveria italiane, e udhëhequr nga ish-kryeministri Giuseppe Conte, nuk i lejoi migrantët në bordin e anijes Diciotti të hynin në vend në gusht të vitit 2018.
Si rezultat, 177 migrantë mbetën në anije për 10 ditë, përpara se një pjesë e tyre të pranohej nga Shqipëria dhe Irlanda, ndërsa të tjerët u lejuan të hyjnë në Itali pasi përgjegjësinë për ta e mori Kisha Katolike.
Megjithëse Conte ishte kryeministër në atë kohë, vendimi për të mos lejuar migrantët të zbarkonin ishte marrë nga politikani i djathtë Matteo Salvini, i cili atëherë ishte ministër i brendshëm dhe aktualisht është zëvendëskryeministër në qeverinë e Giorgia Melonit dhe ministër i infrastrukturës dhe transportit.
Në një koment mbi këtë vendim, Salvini e quajti atë “të turpshëm” dhe tha se “gjykatat duhet të paguajnë për migrantët ilegalë nëse i duan aq shumë”.
Meloni e quajti vendimin e gjykatës në Romë “të diskutueshëm” dhe “frustrues”, duke theksuar se “vendime të tilla nuk i afrojnë qytetarët me institucionet”.
Gjykata nuk ka përcaktuar shumën e kompensimit që do të marrin 41 migrantë nga Eritrea, të cilët paditën qeverinë italiane. Sipas pritshmërive, secili prej tyre do të marrë midis 1.000 dhe 2.000 euro.