Instituti i Kosovës për Drejtësi në kuadër të “Javës së Ndihmës Juridike Falas”, ka organizuar të premten tryezën e diskutimit me temën “(Mos) Zbatimi i të drejtave të pensionistëve në praktikë dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë”.
Edhe në kësaj radhë edhe pse ishin të ftuar, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast Ministria e Financave Punës dhe Transfereve nuk i ishte përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë.
Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, informoi se Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka depozituar mbi 600 padi për moszbatim të pensionimit të dyfishtë. Ai theksoi se shumë qytetarë me moshë të shtyrë përballen me këtë problem, duke kërkuar ndihmë në zyrat e IKD-së dhe në departamentet e pensioneve. Ai shtoi se IKD ka analizuar mohimin e pensioneve të dyfishta për kategoritë e caktuara, duke u fokusuar në ligjet për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UCK-së, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.
“Në zyrat e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së vijnë qytetarë të cilët janë të moshave të shtyra, ka edhe 80-90 vjeçar, të cilët fatkeqësisht enden jo vetëm zyrave të IKD-së por edhe zyrave në departamente të pensioneve, në komunat ku ata janë”, ka thënë Miftaraj.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, shprehu shqetësimin e tij për trefishimin e lëndëve në sistemin gjyqësor për shkak të moszbatimit të ligjeve në mënyrë të drejtë.
“Situata e pensionit të dyfishtë ose me dy skema pensionale veçse po merr dimension në procedura gjyqësore dhe besoj që duhet kjo të reflektojë në përmbushje të vullnetshme. Po e themi edhe në mënyrë specifike se të gjitha kategoritë meritojnë respektin por nuk duhet me e harru asnjëri prej nesh që norma ligjore në fakt e ka edhe dimensionin social dhe human brenda vetës dhe në këtë rast të gjitha skemat sociale ndërtohen mbi këtë koncept. Prandaj, ky dimension duhet të shtrihet edhe në zbatimin e normës dhe jo në këtë situatën kur njerëzit vendosen në dilemë dhe në vështirësi për realizimin e së drejtësi”, tha Zogaj.
Gjyqtari Rexhep Gashi informoi se gjatë muajve mars-maj kishin ardhur rreth 1200 padi lidhur me pensione, duke sjellë një ngarkesë të madhe për gjykatën.
“Qytetarët përmes edhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas përmes Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe instancave tjera janë t’u ushtru padi me një numër jashtëzakonisht të lartë. Unë nga shkrimorja e gjykatës të Departamentit Administrativ e kom marr një statistikë për muajt mars- maj këtij viti tre mujor ku ka rezultu që vetëm për lëndë e kësaj natyre që kanë të bëjnë me pensione në gjykatë kanë ardhur diku 1194 padi apo përafërsisht rreth 1200 padi duke marr parasysh faktin që jemi vetëm 7 gjyqtarë kjo paraqet ngarkesë për gjykatën”, tha Gashi.
Zëvendësuesja e Drejtores së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Flutura Berbati-Zena, vuri në dukje se kërkesat nga qytetarët për pensione të dyfishta janë dyfishuar, duke shprehur shqetësim për rritjen e tyre.
“Sa i përket vitit 2023, ky numër ka pësuar rritje për 50 përqind. Gjatë vitit 2023 janë trajtuar 503 raste që kanë të bëjnë me çështjet e pensioneve dhe 77 kanë qenë këshilla juridike, 120 padi, 185 ankesa, 24 parashtresa, 94 kërkesa dhe 4 lëndë të referuara e avokatët”, ka shtuar ajo.
Berbati-Zena lidhur me vitin 2024 tha se vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, Berbati-Zena ka thënë se janë proceduar 2 mijë 775 padi në drejtim të Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 23 ankesa dhe 4 kërkesa në departamentin e pensioneve në Ministrinë e Financave.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, kritikoi veprimet e autoriteteve publike për mosrespektimin e të drejtave të qytetarëve në këtë çështje.