QARTËSIME/ Morgu i “qeverisë”: normaliteti i një pamjeje dhe skandali i një këndpamjeje

Një okultizëm mortor COVID servirur për opinionin nga opozita, ku pas shifrave të pretenduara si të fshehura të jetëhumbjeve ka pasuar fotoja e një ambienti të brendshëm morgu në QSUT, sapo është bërë gurguleja e radhës në opinion e media.

Te një foto morgu me etiketën ndjellëse “skandal”, ku shfaqen disa trupa të pajetë të qefinosur jo fetarisht por etikisht, e të vendosur në dysheme, tentohet, duke abuzuar në terma psikologjikë, të përcillet ideja e një situate të rëndë mortore COVID, me diciturën politike se “qeveria po e fsheh”.

Në fakt, parë ndryshe, dhe brenda një logjike normale në raport me situatën e krizës, pamja që ofrohet në foto është krejt normale, po aq normale sa pamja e një njeriu që përcillet për në varr, apo që para se të përcillet për në varr, i lihet fytyra jashtë për t’u parë a prekur nga të afërm e miq që e përcjellin për në botën tjetër. Por meqë e para nuk është aq familjare (morgu, trupat e atyshëm, nuk janë diçka qe publiku i gjerë e shesh shpesh) ndërsa e dyta po, tashmë, mileti ka rënë peng e një loje të ndyre vdekjeje, duke bërë që t’i duket si e tmerrshme ajo që në fakt është normale: vendosja e jetëhumburve dhe në dysheme, pasi janë ezauruar të gjitha vendet.

Sqarimi

Mjafton sqarimi i drejtuesve të morgut, i cili përputhet tërësisht me pamjen, për të ndarë se çfarë është skandal e çfarë normalitet aty.

“Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete.

Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët”, thuhet në deklarimin sqarues.

Pra, nuk do shumë sforco për ta kuptuar se për ç’bëfet fjalë. Gjersa jetojmë në kohët e një krize, kjo krizë do reflektohet patjetër te çdo hallkë e sistemit shëndetësor. Dhe këtu s’bën përjashtim as morgu.

“Të hedhura” apo “të vendosura”?

Kur sheh foton me jetëhumburit në morg, ku disa janë mbi tavolina e disa në dysheme, sensin nga nonssensi e ndajnë detaje gjuhësore, më saktë konotative: nëse do përdorej fjala “hedhje” apo “vendosje”. Nëse sheh tre trupat në dysheme, ato janë vendosur me rregullsi fizike – rreshtimi krah njëri-tjetrit, ku siç mund shihet, edhe qefinosja është e njëjtë dhe etikisht pa asnjë detaj shkujdesjeje ndaj tyre. Tani, zgjidhni: është “hedhje” në dysheme apo “vendosje” në dysheme?

Krahasimi

Le të bëjmë një krahasim me objekt trajtimin e të vdekurit.

Pamja e zakontë e krejt legjitime e varrosjes së një të vdekuri është ajo me arkivol, sa më cilësor nëse është e mundur, ku jeta e sosur brenda është e veshur sa më bukur, gjithnjë sipas mundësisë, ku nuk përjashtohet as kostumi e kollarja, apo deri dhe fustani i nusërisë.

Ndërkohë, ka një lloj përcjellje tjetër për atë botë, pa këtë lloj zakoni, i cili nuk përfshin as arkivolin e as veshjen chic; është varrimi me qefin e pa arkivol, kur i vdekuri vendoset në tabanin e tokës, qoftë dhe baltë e gjallë po të jetë, e mbulohet po ashtu.

Sipas një tjetër syri (jo Syri.net), ky varrim mund të jetë skandal, ngase nuk i përgjigjet normalitetit. Për ta, normalitet në këtë rast është pra varrimi klasik, me arkivol, e me të ndjerin veshur si për dasmë. Por për ata që kanë tjetër kod varrimi, jo normalja është varrimi klasik.

Eshtë apo nuk është krizë?   

Në narrativën e opozitës, prej së cilës është servirur dhe fotoja e morgut, ka një problem të madh. Më saktë dy: njëra është trajtimi i krizës COVID si të ishte diçka lokale e jo globale, e tjetra, nuk ndan dot krizën nga normaliteti. Më qartë: në këtë krizë kërkon që gjërat të jenë  normale. Kështu i qaset ekonomisë, kështu i qaset shëndetësisë, kështu i qaset çdo gjëje.

Ndërkohë, kur e ndërton kritikën apo e ofron propozimin, nuk ka asnjë referencë. Në të gjithë narrativën COVID të opozitës, mungon tërësisht referenca, e këtu është fjala për atë bazë, që do ishte: Cili është sipas saj modeli i suksesit COVID në botë sot dhe nëse ka, kush po e ndjek atë dhe ku ndodhet Shqipëria në këtë realitet, nëse ai ekziston.

Ose tjetra: kur ofron propozime (5 pikat e famshme), me ç’referencë janë përpunuar ato? Cilat modele botërore janë studiuar për t’u marrë si shembull në hartimin e tyre?

Të kuptuarit se çfarë është kriza COVID?

Kriza COVID, është ndër të tjera dhe krizë arithmetike. Ajo konsiston në mospërballimin dot të sistemit, ose sistemeve shëndetësore, të fluksit të të infektuarve që duan trajtim. Pra, është thjesht një prishje ekuilibri, pasi spitalet nuk arrijnë të absorbojnë prurjet e pacientëve.

Kriza merr fund, edhe nëse COVID-i nuk zhduket, kur të arrihet ky ekuilibër. Pra, kur COVID-i të shndërrohet si çdo sëmundje tjetër, apo si një grip. Këtë po vuan gjithë bota me këtë virus: rënien e sistemeve shëndetësore, pasi kapacitetet spitalore nuk kanë qenë të përgatitura për pandemi të tilla. Të ç’familjarizuara me pandemi që në vitet ’20 të shekullit të kaluar, e nën euforinë e zhvillimit të shkencave mjekësore, u gjendën gafil para një realiteti të paimagjinueshëm. Dhe kjo krizë përfshin në sistemin domino me gurrët që rrëzohen njëri-pas tjetrit çdo hallkë të sistemeve shëndetësore. Një prej tyre janë morgjet. Dhe nuk besohet se ka morg në botë nën këtë krizë që është në normalitet funksional dhe estetik.

A ka skandal në pamjet e morgut?

Po, është një skandal, tejet i qartë, e ky është abuzimi me këndpamjen, duke e servirur djallëzisht si një keqtrajtim të vdekurish. Eshtë loja me kontekstin, e luajtur politikisht keq. Ja, kjo është ajo që Basha thotë se nuk preferon të merret me politikë, por merret me politikë dhe vetëm me politikë. Mirë bën, pasi politikan është. Çështja është se e luan keq. /tesheshi.com/

Kategoritë
BotaLajme