Putini fton Ukrainën në negociata për paqe të përhershme më 15 maj në Stamboll

Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në negociata të drejtpërdrejta më 15 maj, vetëm disa orë pasi udhëheqësit evropianë i bënë thirrje Moskës të pranojë një armëpushim 30-ditor.

Në një paraqitje të rrallë televizive nga Kremlini mbrëmë vonë, Putin deklaroi se Rusia kërkon “negociata serioze” me qëllim “arritjen e një paqeje të përhershme dhe të fortë”.

Në deklaratën e tij, Putin tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë që bisedimet të përfundojnë me një marrëveshje për një armëpushim të ri mes Rusisë dhe Ukrainës.

Lideri rus tha se bisedimet e propozuara duhet të zhvillohen në qytetin turk të Stambollit, ashtu si më parë, dhe se sot do të bisedojë me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për detajet.

Kievi ende nuk ka dhënë një koment për këtë ftesë.

Moska kishte deklaruar më herët se, përpara se të shqyrtojë një armëpushim, Perëndimi duhet të ndalojë ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Kryeministri britanik Keir Starmer udhëtoi dje në Kiev së bashku me kolegët e tij nga Franca, Gjermania dhe Polonia për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të pranojë një armëpushim të pakushtëzuar, i cili do të fillojë të hënën.

 

Kategoritë
BotaLajme