Putin sulmin në sallën e koncerteve në Moskë e quan “masakër të qëllimshme”

Presidenti rus tha se katër personat e përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e sulmit u arrestuan gjatë rrugës për në Ukrainë, ku ishte përgatitur “një dritare” për arratisjen e tyre

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës, duke e quajtur një “masakër të qëllimshme” që synon të mbjellë përçarje në shoqëri, transmeton Anadolu.

“Kriminelët vranë me qëllim dhe me gjakftohtësi, qëlluan qytetarët dhe fëmijët tanë. Ashtu si nazistët, të cilët dikur kryenin masakra në territoret e pushtuara, ata planifikuan të organizojnë një ekzekutim demonstrues, një akt të përgjakshëm frikësimi”, tha Putin në një fjalim televiziv drejtuar kombit.

Pas sulmit që vrau të paktën 115 persona, presidenti Putin shpalli të dielën, 24 mars, si ditë zie kombëtare.

“Unë shpreh ngushëllimet e mia të thella, të sinqerta për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre. I gjithë vendi dhe i gjithë populli ynë është në pikëllim me ju”, tha Putin.

Presidenti rus tha se katër personat e përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e sulmit u arrestuan gjatë rrugës për në Ukrainë, ku ishte përgatitur “një dritare” për arratisjen e tyre.

“U gjetën dhe u ndaluan të katër autorët e drejtpërdrejtë të sulmit terrorist, të gjitha ata që qëllonin dhe vrisnin njerëz. Ata u përpoqën të fshihen dhe lëvizën në drejtim të Ukrainës, ku sipas të dhënave paraprake u përgatit një dritare nga pala ukrainase për të kaluar kufirin shtetëror. Janë ndaluar gjithsej 11 persona”, tha Putin.

Ai shtoi se shërbimet speciale ruse po punojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e sulmuesve në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës.

Persona të armatosur hapën zjarr derisa rok grupi Picnic po përgatitej të performojë në sallën e koncerteve në perëndim të Moskës. Sulmuesit përdorën gjithashtu lëng të djegshëm për t’i vënë flakën sallës, e cila u përhap shpejt në një sipërfaqe të madhe prej pothuajse 13 mijë katrorësh.

Kategoritë
BotaLajme