Kosova përfaqësohet me tri sportiste në Lojërat Olimpike për të Rinj “Dakar 2026”

Kosova përfaqësohet me tri sportiste në Lojërat Olimpike për të Rinj “Dakar 2026”

– “Pres që garuesit tanë të na nderojnë, të kenë paraqitje të mirë dhe besojmë shumë që edhe nga Senegali të vijmë me medalje, ashtu siç erdhëm nga Argjentina”, tha Krasniqi.

Kosova do të përfaqësohet me tre sportiste në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj “Dakar 2026” që do të mbahen nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Senegal, raporton Anadolu.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), prezantoi të martën emrat e tre sportisteve të cilat do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë ndërkombëtare.

Kreu i KOK-ut, Ismet Krasniqi, u shpreh optimist për rezultatet e përfaqësuesve të Kosovës.

“Pres që garuesit tanë të na nderojnë, të kenë paraqitje të mirë dhe besojmë shumë që edhe nga Senegali të vijmë me medalje, ashtu siç erdhëm nga Argjentina”, tha Krasniqi.

Nga sporti i xhudos Kosovën do ta përfaqësojë Arba Hasanaj, nga tekwando Shega Sejdiu dhe nga atletika Erisa Abdullahu e cila jeton dhe vepron në Gjermani dhe do të udhëtojë nga atje drejt Senegalit për ta përfaqësuar Kosovën.

Arba Hasanaj e cila do ta përfaqësojë Kosovën në xhudo, tha se është krenare për përfaqësimin e Kosovës në këto lojëra dhe do ta jep maksimumin.

“Do ta jap maksimumin dhe shpresoj që të kthehem me medalje”, tha Hasanaj.

Kjo është hera e dytë që përfaqësuesja e Kosovës merr pjesë në lojëra olimpike për të rinj.

Herën e parë, në Argjentinë, Kosova fitoi medalje të bronztë nga sporti i xhudos me Erza Muminoviqin.

Në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj “Dakar 2026” pritet të marrin pjesë rreth 2.700 sportistë të rinj nga e gjithë bota, të cilët do të garojnë në 25 sporte. Garat do të zhvillohen në Dakar, Diamniadio dhe Saly.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi