Putin dhe Merkel bisedë për prodhimin e përbashkët të vaksinës kundër COVID-19

Presidenti rus, Putin dhe kancelarja gjermane, Merkel diskutuan për çështjet në lidhje me “bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit me theks mbi perspektivat e mundshme për prodhimin e përbashkët të vaksinave”.

Kremlini bëri të ditur se Rusia dhe Gjermania janë duke biseduar për mundësinë e prodhimit të përbashkët të vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një bisedë telefonike, presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel diskutuan për çështjet në lidhje me “bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit me theks mbi perspektivat e mundshme për prodhimin e përbashkët të vaksinave”, theksohet në njoftimin e Kremlinit.

Ende nuk ka një marrëveshje konkrete, por Merkel dhe Putin u dakorduan të “vazhdojnë kontaktet mbi çështjen midis ministrive të shëndetësisë të dy vendeve dhe agjencive të specializuara”, thuhet më tej.

Pala gjermane nuk ka lëshuar njoftim mbi bisedën.

Gjermania në fund të dhjetorit filloi vaksinimin masiv duke përdorur vaksinën e zhvilluar nga BioNTech/Pfizer në Gjermani.

Sipas Ministrisë ruse të Shëndetësisë, nga fundjava e kaluar Rusia ka vaksinuar 800 mijë persona në të gjithë vendin duke përdorur vaksinën e saj Sputnik V.

Kategoritë
BotaLajme