Derisa po ua mbante testin studentëve është ndalur rryma, Bajrami: Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese

Derisa po ua mbante testin studentëve është ndalur rryma, Bajrami: Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila është edhe profesoreshë në fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ka njoftuar se sonte rreth orës 17:10, derisa po mbante test me studentët e nivelit master është ndal rryma.

Lidhur me rastin, Bajrami shkruan; “Paraprakisht ua kisha marrë të gjithëve telefonat. Pas disa minutash pritjeje, studentët erdhën me një ide kreative: t’ua shpërndaja telefonat në mënyrë të rastësishme, që secili ta përdorte telefonin e dikujt tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar”.

“Kështu vazhduam testin!”, shkruan Bajrami.

“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ”Kosovën e progresit të paparë”!”, vijon Bajrami.

“Përtej humorit, Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese.

Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza. Pas gati gjashtë vjetësh të humbura, nëse nuk veprojmë tash, as qytetarët e as Qeveria shumë shpejt nuk do të mund t’i përballojnë faturat e rrymës e reduktimet do na bëhen përditshmëri”, ka shkruar ajo.

Kategoritë
LajmeVendi