Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka kritikuar Serbinë për mosdhënie të informacioneve për lokacionet e varrezave masive.
Hoti ka thënë se është Serbia ajo që ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë dhe e njëjta që nuk jep informacione dhe as nuk hap arkivat për dokumentimin e këtyre krimeve.
Në emisionin “FIVE” Hoti ka theksuar se në maj të vitit 2021 Kosova kishte filluar gërmimet në Serbi, por ishte ndërprerë nga e njëjta.
“Në maj të vitit 2021 kemi filluar gërmimet në Shtaval, Serbia i ndërprejti me arsyetimin se nuk ka gjetje, pas dy vitesh kërkesa e panë të arsyeshme se duhet patjetër të gërmojmë atë lokacion. Serbia nuk po na i jep informacionet për Shteval e lokacione tjera, janë kryesisht informacione që i marrim prej dëshmitarëve të ndryshëm, dokumentacioneve tjera. Serbia që i ka bërë këto krime, mund ta dijë saktë se ku ekzistojnë këto varreza masive”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se Lokacioni i Shtavallit është i vështirë për tu gërmuar pasi është afër një miniere që me tonelata dhe janë hedhur mbi atë vend.
“Është hedhë mbi tonelata dhe në atë vend dhe pa pasë informacione kredibile të arkivave që i kërkojmë nga Serbia, është e vështirë të kemi koordinatën e saktë se ku mund të jetë kjo varrezë masive”.
Hoti ndër të tjera ka dhënë detaje edhe për gërmimet e sotme në Tusuz të Prizrenit ku u gjetën mbetje mortore që mund të jenë të viktimave të luftës.
Ai ka thënë se Tusuzi është lokacioni i 13-të që është gërmuar këto ditë dhe i 7-ti që janë gjetur mbetje mortore.
“Në Tusuz është varrezë e qytetit, nuk është lokacion standard, i kemi tri koordinata brenda atyre varrezave, kemi gjetur disa eshtra që potencialisht mund të jenë të personave të zhdukur, nuk mund të them numër të saktë sa kemi arritë mi gjet, sepse ka procedura, duhet të ekzaminohen në IML pastaj të dërgohen në Hagë”, ka theksuar ai.