Protestë në Tel Aviv me kërkesën për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza

Të afërmit e pengjeve izraelite në Gaza zhvilluan protestë në Tel Aviv, ndërkohë që sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës kanë hyrë në ditën e 200 të tyre

Përderisa sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës vazhdojnë pa ndërprerë, në Tel Aviv u mbajt protestë me kërkesën për rikthimin në shtëpi të pengjeve izraelite në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas lajmeve në mediat izraelite, të afërmit e pengjeve izraelite në Gaza zhvilluan protestë në Tel Aviv, ndërkohë që sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës kanë hyrë në ditën e 200 të tyre.

Protestuesit reaguan kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe kërkuan rikthimin e pengjeve në Gaza.

Kryeministri izraelit Netanyahu akuzohet në Izrael dhe opinionin ndërkombëtar për mos kryerjen e marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin për arsye politike.

Figura të nivelit të lartë në qeverinë e Netanyahut, përfshirë ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich mbrojnë idenë se pengjet nuk duhet të jenë prioritet kryesor për Izraelin dhe se shkatërrimi i Hamasit është më i rëndësishëm.

Disa të afërm të pengjeve theksojnë se krahas reagimeve në mediat sociale nga mbështetësit e Netanyahut, janë përballuar edhe me sulme fizike në protestat ku ata i kanë bërë thirrje qeverisë.

Sipas autoriteteve izraelite, në Rripin e Gazës ndodhen mbi 130 pengje izraelite ku disa prej tyre janë gjallë dhe disa të vdekur. Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit ka njoftuar se ka kaluar 70 numri i pengjeve izraelite që janë vrarë në sulmet e Izraelit ndaj Gazës.

Të afërmit e pengjeve izraelite në Gaza akuzojnë qeverinë për neglizhencë ndaj kërkesave të tyre për arritjen e një marrëveshjeje politike me Hamasin dhe lirimin e të afërmeve të tyre.

Në sulmet e Izraelit që vazhdojnë pandërprerë prej rreth 7 muajsh kundër Gazës, janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë shumica gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur rreth 78 mijë të tjerë.

Kategoritë
BotaLajme