Marshimi në Paris filloi në Place de la Bastille dhe përfundoi në Place de Nation, me protestuesit që brohorisnin slogane të tilla si “Ndalo islamofobinë”, “Drejtësi për Aboubakar-in” dhe “Islamofobia vret”
Protestuesit marshuan në Paris dhe qytete të tjera në të gjithë Francën për të denoncuar rritjen e islamofobisë dhe për të kërkuar drejtësi për Aboubakar Cisse, të riun musliman që u godit me thikë për vdekje në një xhami muajin e kaluar, raporton Anadolu.
Përveç në kryeqytetin Paris, demonstrata u zhvilluan edhe në Marsej dhe Lion në përgjigje të rritjes së ndjenjave anti-muslimane në politikën dhe median franceze. Protestat u nxitën nga goditja fatale me thikë e Cisse-s më 25 prill në Xhaminë Hatice në qytetin La Grand-Combe në rajonin Gard.
Marshimi në Paris filloi në Place de la Bastille dhe përfundoi në Place de Nation, me protestuesit që brohorisnin slogane të tilla si “Ndalo islamofobinë”, “Drejtësi për Aboubakar-in” dhe “Islamofobia vret”.
Pjesëmarrësit kritikuan qëndrimin ndaj imigracionit dhe komuniteteve muslimane të ministrit të Punëve të Brendshme, Bruno Retailleau, duke mbajtur pankarta që shkruanin “Retailleau, gjaku i Aboubakar-it është në duart tuaja”.
Politikanë të majtë, përfshirë Jean-Luc Melenchon dhe Aymeric Caron, gjithashtu iu bashkuan protestës.
Shumë demonstrues mbanin edhe flamuj dhe “kefije” palestinezë, duke shprehur solidaritet me Gazën dhe duke dënuar fushatën ushtarake të Izraelit.