Presidenti amerikan Trump ka bërë thirrje për anulimin e gjyqit të Netanyahut, duke e quajtur atë një “gjueti shtrigash” kundër kryeministrit
Prokuroria izraelite ka miratuar një kërkesë nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të shtyrë seancat dëgjimore të javës së ardhshme në gjyqin e tij për korrupsion për shkak të vizitës së tij të planifikuar në Washington për t’u takuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, thanë sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
Kryeministri izraelit do të vizitojë SHBA-në javën e ardhshme për bisedime me Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë mbi luftën në Gaza, Iranin dhe çështje të tjera rajonale.
Sipas transmetuesit publik të Izraelit KAN, Netanyahu ka kërkuar anulimin e seancave të tij gjyqësore javën e ardhshme, duke përmendur vizitën e tij në SHBA, ndërsa prokuroria e ka miratuar kërkesën e tij.
Seancat gjyqësore të kësaj jave u anuluan gjithashtu nga Gjykata e Qarkut të Kudsit pas një kërkese të ngjashme nga kryeministri.
Anulimi erdhi pas thirrjeve të përsëritura të Trumpit për anulimin e gjyqit të Netanyahut, duke e quajtur atë një “gjueti shtrigash” kundër kryeministrit.
Netanyahu përballet me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit që mund të çojnë në burgim nëse vërtetohen.
Në janar, Netanyahu filloi seancat e marrjes në pyetje në lidhje me Rastet 1000, 2000 dhe 4000, të cilat ai i mohon. Prokurori i përgjithshëm ngriti një padi në lidhje me këto raste në fund të nëntorit 2019.
Netanyahu, gjyqi i të cilit filloi më 24 maj 2020, është udhëheqësi i parë izraelit në detyrë në historinë e vendit që del para gjyqit si i pandehur penal vendit.
Ai përballet gjithashtu me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, me Gjykatën Ndërkombëtare Penale që lëshoi urdhra arresti për të dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant në nëntor 2024 për mizoritë në Gaza, ku më shumë se 56.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga 7 tetori 2023.