Kompania Affinity Partners, në pronësi të Jared Kushnerit, ka njoftuar se tashmë është i pasigurt fati i projektit për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin ku sot ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në qendër të Beogradit, pas arrestimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi.
Goran Vasiq, drejtor i përkohshëm i këtij institucioni, u arrestua më 13 maj, nën dyshimet se kishte falsifikuar dokumentacionin mbi bazën e të cilit Qeveria e Serbisë ia hoqi statusin e mbrojtjes kulturore objektit të Shtabit të Përgjithshëm.
Kjo kishte hapur rrugën që, në vend të këtij objekti modernist, të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XX, kompania e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, të ndërtonte një hotel luksoz dhe objekte shumëkatëshe – projekt i kundërshtuar nga ekspertë dhe opinioni publik në Serbi.
Nga Affinity Partners i thanë gazetës amerikane, The New York Times, se nuk kanë pasur asnjë rol në procesin e rishqyrtimit të statusit kulturor të lokacionit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Sot, nga mediat, mësuam se një ish-zyrtar i Qeverisë serbe, pa asnjë lidhje me kompaninë tonë, dyshohet se ka falsifikuar dokumente në lidhje me statusin e mbrojtjes kulturore për projektin ‘Belgrade Square’”, thuhet në deklaratën e kompanisë, duke shtuar se “do ta hetojmë situatën dhe do të marrim hapat e mëtejshëm”.
Sipas kompanisë, punimet në këtë lokacion ende nuk kanë nisur, dhe fati i projektit është tashmë i pasigurt.
Prokurori serb për krime të organizuara njoftoi më 14 maj se ka marrë në pyetje të dyshuarin Goran Vasiq, i cili – sipas Institutit – ka pranuar veprën penale që i ngarkohet.
Qeveria e Serbisë më 15 maj 2024 nënshkroi një marrëveshje për “revitalizimin” e kompleksit me kompaninë e Kushnerit, Affinity Global Development, përmes së cilës ia ka dhënë tokën me qira për 99 vjet.
Kushner ka planifikuar të ndërtojë një kompleks afaristo-banesor, ku do të përfshihet edhe një “memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s”, por detajet e kontratës me Qeverinë serbe nuk janë bërë publike.
Projekti është kundërshtuar nga ekspertë, opozita dhe një pjesë e qytetarëve, të cilët e konsiderojnë sulm ndaj trashëgimisë kulturore, dhe kritikojnë mungesën e transparencës.
Ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së atëhershme jugosllave, dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, u ndërtuan mes viteve 1955-1965, sipas projektit të arkitektit Nikolla Dobroviq, si një ansambël dykatësh që atëherë quhej Sekretariati Shtetëror për Mbrojtjen Popullore.
Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm u bombardua dy herë gjatë fushatës ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër Jugosllavisë, më 1999.