Profesori i UP’së: Vucic po e teston Bidenin, Kosova po merret naivisht dhe emocionalisht me presidentin serb

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Berisha po konsideron se Kosova s’duhet të merret në mënyrë naive dhe emocionale me tema koti që i nxjerr Aleksander Vucic si ne rastin e fundi kur krahasoi konfliktin e ngrirë Nagarno-Karabakh me Kosovën.

Aleksander Vucic, në një paraqitje publike, tha se raportet mes Kosovës dhe Serbisë mund të esklaojnë sikurse kishte ndodhur me konfliktin e ngrirë ndërmjet dy shteteve Nagarno-Karabakh. Për këtë arsye, ai kishte thënë se duhet të përmbyllet problemi me Kosovën në mënyrë që as gjeneratat e ardhshme të mos kenë probleme më.

Berisha ka vlerësuar se reagimi i zyrtarëve shtetërorë të Kosovës vjen edhe për shkak të inferioritetit postkolonial në raport me Serbinë.

“Është koha e fundit që Kosova të përqëndohet në punët e veta, duke mos përfillur as Vuçiqin as Serbinë. Marrja kështu në mënyrë naive, emocionale me të, vetëm sa humbë dhe shkatërron energjitë e zhvillimit dhe të emancipimit shtetëror. Është punë koti, pra. Dhe, shprehje e ndjenjës së inferioritetit postkonlonial”, ka shkruar Berisha, në një reagim në Fb.

Berisha kërkon nga Shteti kosovar të caktojë agjendën e të mos lejojë që Vucic të përcaktojë se çka duhet të bëhet e flitet nga shqiptarët e Kosovës.

“Është një sharllatan që mbijeton duke krijuar skandale me ndërhyrjet banale në Kosovë dhe duke zhvendosur agjendat e shtetit tonë në tema koti. Kështu ishte edhe me retorikën e tij demagogjike për mundësinë e “shkrirjes e konfliktit të ngrirë” në Kosovë me krahasimet koti me kontestin në Nagorno-Karabakh. Politika dhe qeveritarët duhet të kuptojnë më në fund, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që duhet t’ia caktojë agjendën vetes. Ky është thelbi”, ka shtuar ai.

Kategoritë
LajmeVendi