“Procesverbalet e gjenocidit” zbulojnë planet e serbëve të Bosnjës për gjenocid gjatë luftës

Regjistrimet e seancave parlamentare, të botuara nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, zbuluan planet dhe metodat e paraqitura nga udhëheqësit dhe deputetët serbë të periudhës me qëllim krijimin e një “shteti serb” në BeH

ADIS KARADZA, KAYAHAN GÜL

“Këtë qytet ia bëjmë dhuratë kombit serb para festës së madhe serbe. Erdhi koha të hakmerremi nga turqit (muslimanët) në këtë vend”, ishin fjalët e gjeneralit serb Ratko Mlladiç, një kriminel i luftës dhe gjenocidit, në Srebrenicë më 11 korrik 1995. Deklaratat e tij paralajmëruan gjithashtu gjenocidin që do të kryhej në Srebrenicë, në zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Fjalët e gjeneralit serb dhe vrasja pasuese e më shumë se 8 mijë burrave boshnjakë ishin në fakt realizimi i nismës së përbashkët kriminale të planifikuar dhe të njoftuar gjatë takimeve të Parlamentit të Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë në atë kohë.

Regjistrimet e seancave parlamentare të lartpërmendura, të botuara nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës brenda kornizave të projektit të quajtur “Procesverbalet e gjenocidit”, zbuluan planet dhe metodat e paraqitura nga udhëheqësit dhe deputetët serbë të periudhës me qëllim krijimin e një “shteti serb” në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Këto të dhëna, të cilat më parë ishin përdorur vetëm si prova në gjykimet në lidhje me krimet e luftës, për herë iu paraqitën për përdorim universiteteve, organizatave joqeveritare, studiuesve, gazetarëve dhe individëve të interesuar.

Duke shpërndarë procesverbalet, synohet të kontribuohet në hetimin e hollësishëm të krimeve të luftës dhe gjenocidit, si dhe të nxirren në dritë shumë pika të panjohura të luftës më të përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Bosnja dhe Hercegovina ka qenë gjithmonë vend serb”

Një nga themeluesit e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Vojo Kupreshanin, në fjalimin e tij në seancën parlamentare më 8 janar 1993, mohoi njerëzimin e boshnjakëve muslimanë dhe mohoi të drejtën e tyre për të ekzistuar.

“A janë muslimanët (boshnjakët në Jugosllavi u quajtën muslimanë) me të vërtetë një popull? Ky popull, i shpikur nga Tito në vitin 1974, ka të paktën pozicionin e grekëve. Kush është Bosnja dhe Hercegovina? Bosnja ka qenë gjithmonë vend serb. Ne dëbuam turqit, austriakët dhe gjermanët nga këtu. Bosnja ende nuk është bërë vend serb, është bërë vendi i një populli inekzistent, i muslimanëve. Na duhet Bosnja. Bosnja është një vend serb”, ishte fjalimi i Kupreshaninit.

“Pale është Jugosllavi”

Fjalimet e shumë deputetëve të tjerë si Kupreshanin demonstruan qartë planet shkatërruese të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës.

Parlamenti i Republikës Serbe më 21 dhjetor 1991 vendosi për të krijuar Republikën Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës si një organ federal brenda Jugosllavisë, ndërsa gjithashtu mori vendimin për njohjen e Republikës së Krajinës Serbe. Në bazë të këtij vendimi, më 9 janar 1992 u shpall Republika Popullore Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në fjalën e tij në atë kohë, udhëheqësi serb Radovan Karaxhiç, i cili është fajtor për luftën dhe gjenocidin, deklaroi se “Askush nuk mund ta marrë Bosnjën dhe Hercegovinën e pavarur përtej Urës Kozje (afër Sarajevës) sepse Pale tashmë është Jugosllavi”.

Në seancën në muajin shkurt të vitit 1992, derisa diskutohej kushtetuta, himni kombëtar dhe simbolet e shtetit “të ri” serb, Vojislav Maksimoviç tha:

“Ne këtu jemi duke ndërtuar një shtet serb në territorin serb. Është e drejta jonë të kemi himnin kombëtar serb, flamurin tonë dhe simbolin tonë kryqtar me 4S mbi të.”

“Të pushtojmë tokat tona me forcë”

Nga ana tjetër, tërheq vëmendjen një fjalim i presidentit të atëhershëm i parlamentit serb, Momçillo Krajishnik, i cili do të dënohet për krime kundër popujve joserbë.

“Ne kemi dy rrugë. Njëra është të arrijmë maksimumin tonë duke luftuar politikisht, ose të ndërpresim të gjitha negociatat dhe të bëjmë atë që kemi bërë me shekuj, domethënë të pushtojmë tokat tona me forcë.”, kishte deklaruar Krajishnik.

Parlamenti mori një vendim shumë të rëndësishëm në seancën më 12 maj 1992, vendim që përcaktoi qëllimet strategjike dhe përparësitë me gjashtë pika të popullit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në të njëjtën seancë, gjenerali serb Ratko Mlladiç, i cili më vonë do të dënohej për gjenocidin në Srebrenicë, tha:

“Njerëzit nuk janë çelësa në xhep ose pula që ne t’i vendosim në anën e largët. Kjo është e lehtë për të thënë, por është e vështirë të bëhet. Gjithashtu, ne nuk mund t’i shoshitim njerëzit në mënyrë që vetëm serbët të mbeten dhe të tjerët të zhduken. Z. Krajishnik dhe Z. Karaxhiç si do t’ia shpjegojnë këtë botës? Ky do të ishte një gjenocid”.

Mlladiç do të bënte gjithçka vetëm për të arritur qëllimet e vendosura nga asambleja.

Deklarata e Karadzicit për Srebrenicën

Pas gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995, në seancën e mbajtur në gusht të vitit 1995, Karaxhiç deklaroi:

“Nëse do të kishim hyrë në Srebrenicë derisa Morion (gjeneral francez) ishte aty dhe do ta kishim marrë qytetin, ata do të na kishin bombarduar dhe djegur. Erdhi koha e duhur dhe unë nënshkrova vendimin që parashikonte marrjen e Teoçakut, Srebrenicës, Zepës dhe Gorazdenit”.

Duke theksuar se ai qëndron pas të gjitha vendimeve të tij, Karaxhiç tha: “Gjithçka është regjistruar në komandën e lartë. Shihet se unë kam urdhëruar si verbalisht ashtu edhe me shkrim të ecim drejt Zepës dhe Srebrenicës”.

Në tetor të të njëjtit vit, Karaxhiç u kthye përsëri në çështjen e Srebrenicës, duke pohuar rolin e tij udhëheqës në gjenocidin që ndodhi atje:

“Si Komandant i Përgjithshëm, unë qëndrova pas planit të Srebrenicës dhe Zepës. Nëse do të kishte një Zepa me 90 mijë muslimanë të armatosur, ne do ta kishim humbur luftën. Unë personalisht e shikova planin pa dijeninë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Unë e këshillova gjeneralin Krstiç, të cilin rastësisht e takova, të shkonte në qytet dhe të deklarojë se Srebrenica kishte rënë. Ne pastaj do të vepronim kundër turqve që shkonin në pyll”.

Burgim i përjetshëm për Karaxhiç dhe Mlladiç

Presidenti i Republikës Serbe Radovan Karaxhiç u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime të ndryshme lufte në Srebrenicë, ndërsa Gjenerali Mlladiç u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm.

Nënkryetarja e atëhershëm e Republikës Serbe, Biljana Plavshiç, pasi ndjente keqardhje dhe u morr vesh me gjykatën, u dënua me 11 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa politikani serb Radosllav Brdjanin u dënua me 30 vjet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, sot, shumica e 77 deputetëve të periudhës janë tërhequr nga politika dhe disa prej tyre kanë humbur jetën.

Lufta e përgjakshme në Bosnjë

Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë e saj pas referendumit të mbajtur më 29 shkurt-1 mars 1992. Menjëherë pas referendumit, ushtria jugosllave e kontrolluar nga serbët dhe njësitë paraushtarake serbe filluan spastrimet etnike kundër boshnjakëve muslimanë.

Në mes të Evropës, masakrat e civilëve, torturat, spastrimet etnike, dëbimet dhe gjenocidi ndodhën gjatë luftës që zgjati më shumë se 3 vjet e gjysmë.

Në korrik të vitit 1995, trupat nën komandantin serb Mlladiç vranë të paktën 8.372 civilë boshnjakë në vetëm disa ditë në lindje të vendit në Srebrenicë dhe rreth saj.

Në shumë qytete të tilla si Prijedor, Foça, Zvornik dhe Visegrad, pothuajse nuk mbeti asnjë boshnjak për shkak të spastrimit etnik.

Ndërkaq, kryeqyteti, Sarajeva, ishte nën rrethimin e serbëve për 44 muaj.

Lufta, në të cilën qindra mijëra njerëz humbën jetën, miliona njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, gratë u përdhunuan, civilët u torturuan në kampe përqendrimi, përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it më 21 nëntor 1995.

Kategoritë
LajmeRajoni