Procesi i rezultateve të zgjedhjeve ende në “zvarritje”, PZAP pranon gjashtë ankesa nga subjektet politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, rezultat ky në të cilin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta nga zgjedhjet e 9 shkurtit doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Llogaritur me këtë përqindje del që Lëvizja Vetëvendosje i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës për legjislaturën e ardhshme kuvendare, kurse PDK-ja 24 sosh, LDK 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

E menjëherë pas shpalljes së këtyre rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit disa subjekte politike kanë “trokitur” në derën e PZAP-së, ku edhe kanë mundësi të ankohen.

Këto parti politike kanë dërguar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) disa ankesa, që lidhen pikërisht me procesin zgjedhor dhe rezultatet.

Të pyetur nga lajmi.net, për këtë çështje nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kanë thënë se nga shpallja e rezultateve të këtyre zgjedhjeve kanë pranuar gjashtë ankesa nga partitë politike.

“PZAP  – i në lidhje me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ ka pranuar 6 ankesa”, thuhet në përgjigje.

Tutje nga PZAP-ja, kanë thënë se tri ankesa janë pranuar nga një kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), një ankesë nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (PDAK-LPB), si dhe dy ankesa nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

“3 Ankesa nga një kandidat I subjektit politik PDK, 1 Ankesë nga subjekti politik PDAK- LPB , 2 Ankesa nga subjekti politik LVV”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.

Kësisoj i bie se nga partitë e mëdha politike në vend, vetëm LDK-ja dhe AAK-Nisma nuk kanë pasur ndonjë ankesë për të dërguar tek Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Po ashtu nga PZAP, bëhet e ditur se teksa kanë kaluar 48 orë, afati për parashtrimin e ankesave ka përfunduar pasditen e së hënës. në orën 17:00.

Pas kësaj parashihet që PZAP-ja duhet të marrë vendim brenda 96 orëve nga parashtrimi i ankesës.

Ndërkaq vendi u ballafaqua me zvarritjen e shpalljes së rezultateve përfundimtare ku sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kishte ardhur si pasojë e telasheve me të cilat është përballur KQZ-ja gjatë numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.

Problemet për rezultate nisën që në ditën e zgjedhjeve, ku si fillim rezultatet u shfaqën gabim në ueb-faqe, e më pas ueb-faqja ishte gjatë gjithë kohës jashtë funksionit. Pas kësaj probleme pati edhe si shkak i vonesave në ankesa, e rinumërime

Tri partitë e mëdha opozitare kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në e Kurtit, ndërsa siç raportohet ka dy ditë që Bedri Hamza nga PDK dhe Lumir Abdixhiku nga LDK-ja veçse janë takuar pikërisht duke diskutuar mbi çështjen e koalicioneve të mundshme pas zgjedhore.

Ligjërisht Vetëvendosje si parti e parë ka të drejtën e plotë për formimin e qeverisë, por në rast se kjo e fundit nuk arrin ta bëjë atë mundësia kalon tek partitë e dyta e të treta opozitare. Mbetet të shihet se nga kush do të udhëhiqet Kosova në katër vitet e ardhshme, apo do të vihet në ngërç politik e institucional.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi