Prishtinë, mbahet “car show” me vetura sportive

Merakli të veturave nga të gjitha vendet e Kosovës u mblodhën në parkingun e një qendre tregtare në kryeqytet duke parakaluar me veturat e tyre.

Është mbajtur në Prishtinë “car show” (shfaqje veturash) me vetura të reja sportive dhe të shtrenjta, raporton Anadolu.

Merakli të veturave nga të gjitha vendet e Kosovës u mblodhën në parkingun e një qendre tregtare në kryeqytet duke parakaluar me veturat e tyre dhe duke bërë “drifting” (rrëshqitje me veturë) në ditën kur në Prishtinë do të shfaqet premiera e filmit “Fast & Furious 10”, film i cili ka si subjekt kryesor pikërisht veturat.

Advan Plakolli, njëri nga administratorët e grupit “Merakli t’kerreve”, tha se veturat e shfaqura në këtë ngjarje janë nga ato klasike deri tek ato të prodhuara së fundi.

“Vetura më e shtrenjtë për momentin këtu mund të them se është Lamborghini Urus xhip dhe këtu i kemi tri të tilla për momentin. Kjo veturë kalon shifrën 300 mijë euro”, theksoi Plakolli.

Tutje, ai tha se grupi i rrjeteve sociale “Merakli t’kerreve” me mbi 150 mijë anëtarë organizon ngjarje të tilla edhe me diasporën kosovare, ku në të dielën e fundit të çdo korriku mbahet “Diaspora Meeting”, me koncept të njëjtë të shfaqjes së veturave të kosovarëve që jetojnë në diasporë.

Në këtë ngjarje për të gjithë shikuesit u shpërndanë edhe pije freskuese, ndërsa po ashtu pati edhe lojë shpërblyese.

Kategoritë
LajmeVendi